Nga shtatori çmimet e bulmetit shtrenjtohen deri në 33%

12 September 2022, 09:13Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nga shtatori çmimet e bulmetit shtrenjtohen deri në 33%

Nga fillimi i muajit shtator çmimet e produkteve të bulmetit janë rritur në nivele të frikshme.

Shtrenjtimin më të lartë po e shënojnë qumështi i lopës dhe produktet e tij, për shkak të rënies së prodhimit. Prodhuesit pohojnë se janë një serë faktorësh zinxhir që po ndikojnë në rritjen e lartë të çmimeve, që nga ulja e peshës së fermave të lopëve për shkak të shtrenjtimit të lëndës ushqyese, materialeve ambalazhuese, qelqit dhe plastikës dhe largimit të fermerëve në emigracion.

Qumështi i hapur i lopës që tregtohet individualisht nga fermerët në dyqanet ushqimore në Tiranë nga 1 shtatori u rrit 23% (nga 130 lekë/1.5 L arriti në 160 lekë).

Xhevair Alushi nga fshati Zall Herr i Tiranës tha për Monitor se arsyeja e rritjes së çmimit është shtrenjtimi 50% i lëndës ushqyese dhe çmimi i lartë i karburantit për transportin. “Kostoja e mbajtjes së lopëve është e papërballueshme. Nga 10 lopë që kisha në fermë në verë aktualisht kam 7 lopë. Me çmimet e lartë të lëndës ushqyese mbajtja e tyre është e paleverdishme. Gjithashtu në kosto jemi shumë të prekur edhe rritja e lartë e çmimit të naftës”, pohon Xhevairi furnizuesi i qumështit për 3 markete në Tiranë.

Blegtoria vazhdon në rënie dhe numri i krerëve pakësohet përditë. Sipas të dhënave të INSTAT për 2021 në vend numri i dhive ra 3% krahasuar me 2020, numri i deleve ra 5% dhe i gjetheve 7% më pak.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4% krahasuar me 2020, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje përkatësisht me 26,3% dhe 8%. Ndërsa importet e importet e qumështit për 2021 shfaqen me rritje rreth 43% më shumë se 2020. 56% të totalit të qumështit me jashtë e zëne importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnje-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia dhe shtete të tjera të Europës. Për 2021 rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia 71% më shumë se në 2020.

Sakaq shtrenjtimi i çmimeve po ndikon edhe te ulja e konsumit. Tendenca e konsumatorit në këtë periudhë është të heqë dorë nga produktet e shtrenjta, duke i zëvendësuar ato me artikuj më të lirë.

Sipas INSTAT, që nga muaji mars, Indeksi i Çmimeve të Konsumit për nëngrupin “Qumësht, djathë dhe vezë” ka filluar rritjen e shpejtë, që ishte 10.3% në mars dhe kulmoi në 22.3% në gusht, niveli më i lartë të paktën që nga viti 2007, kur INSTAT i raporton të dhënat e detajuara sipas grupeve/monitor


Video