Në çfarë investuan më shumë familjet shqiptare 12 vitet e fundit?

10 Korrik 2024, 09:23Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Të dhënat e CENSIT të fundit të popullsisë dhe banesave treguan se në Shqipëri jetojnë 755 mijë e 950 familje.

Por në çfarë kushtesh jetojnë ato dhe në çfarë pajisjesh kanë investuar më shumë në 12 vitet e fundit?

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e familjeve shqiptare i kanë në pronësi banesat në të cilat jetojnë.

Nga 755 mijë e 950 familje, 82,5 përqind e tyre janë pronarë të banesës ku jetojnë ose janë në proces të marrjes së aktit ligjor  të pronësisë.

Vetëm 8.8 përqind e familjeve shqiptare jetojnë me qira.

Ndërkohë rezulton se pjesa më e madhe e familjeve, 97 %, zotërojnë pajisje kryesore si televizorë, frigoriferë, telefon celular dhe lavatriçe.

Po ashtu, rezulton se depërtimi i internetit në popullatë ka njohur rritje të fortë vitet e fundit, pasi më shumë se 74 % e familjeve shqiptare kanë sistem  fizik të lidhjes së internetit.

Në ndryshim nga CENSI i vitit 2011 rezulton se lidhja fizike e linjës së internetit ka shënuar rritje të  konsiderueshme, me 62,2 pikë përqindje.

Në 12 vitet e fundit, rezulton se familjet shqiptare kanë investuar më shumë edhe për pajisje të tjera afatgjata që përmirësojnë jetesën e tyre.

Në këtë kontekst, CENSI i vitit 2023 nxjerr në pah se familjet shqiptare kanë instaluar më shumë kondicionerë dhe panele diellore, raporton SCAN.

Krahasuar me të dhënat e CENSIT 2011, ky cens tregoi një rritje me 27.5 % të familjeve që kanë instaluar kondicionerë.

Një tendencë e re, është rritja e ndjeshme e zotërimit të paneleve diellore nga familjet shqiptare, ku 11,4 përqind e e tyre zotërojnë panele diellore krahasuar me 2,7 përqind që ishte në censin e mëparshëm.

Po ashtu, thuajse gjysma e familjeve shqiptare zotërojnë ose përdorin një makinë, në një kohë që 12 vite më parë ishte vetëm 19.6 përqind.

Video