Administrata Doganore dhe ajo Tatimore kanë zhvilluar kontrolle në disa pika karburantesh, ku ka identifikuar dy prej tyre në shkelje.
Bëhet fjalë për pikat e karburantit “Eida” dhe “Gega Oil”, për të cilat kishte dyshime për shmangie të detyrimeve ligjore dhe doganore.
Në sajë të operacionit të ndërmarrë në sektorin e hidrokarbureve për monitorimin e tregut të produkteve energjetike, fillimisht subjektet u monitoruan në distancë dhe më pas, nga kontrollet paraprake, u gjet dokumentacion i parregullt dhe mosdeklarim i plotë i aktivitetit.
Mësohet se një task-forcë e ngritur ushtroi kontrolle në këto dy pika në qytetin e Elbasanit, ku u konstatuan një sërë shkeljesh:
1. Moslëshim i faturës për transaksionet e kryera
2. Mosafishim i listës së çmimeve
3. Mospërditësim i të dhënave të biznesit
4. Punonjës të padeklaruar
5. Mall pa faturë
Administrata Doganore ka vendosur penalitetet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe sekuestrimin e dokumentacioneve të parregullta, të cilat do të përdoren për verifikimet e mëtejshme.
Njoftimi:
Nisin kontrollet në sektorin e karburanteve.
Administrata Tatimore dhe Administrata Doganore kanë nisur kontrollet në tregun e hidrokarbureve, në zbatim të planit të përbashkët operacional për monitorimin e këtij sektori.
Aksioni i parë u zhvillua në Elbasan, në dy subjekte karburanti, ku u identifikuan shkelje të rënda të legjislacionit në fuqi.
Kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin, me qëllim luftën kundër informalitetit, monitorimin e çmimeve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.