Mbivendosja e pronave, cilat janë tre zgjidhjet e mundshme pa shkuar në Gjykatë

4 Qershor 2024, 09:49Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në jo pak raste, procesi i regjistrimit të titujve të pronësisë nuk është përmbyllur për shkak të pasaktësive apo gabimeve, që e kanë origjinën në konfigurimin hartografik.

Sipas ish- kreut të Hipotekës Valdrin Pjetri, ligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, përcakton që në këto raste, pra kur kemi të bëjmë me mbivendosje fiktive, korrigjimi bëhet nga vetë Agjencia e Kadastrës dhe qytetarët nuk kanë asnjë detyrim. Ndërsa kur mbivendosja është reale, tre janë zgjidhjet që ofrohen në ligj.

Fillimisht, palët kanë mundësinë e zgjidhjes së konfliktit me marrëveshje mes tyre, nëse kjo nuk arrihet atëherë vendimi i takon gjykatës. I gjithë ky proces mund të paraprihet nga verifikimi i hartave kadastrale, në kohën e regjistrimit fillestar.

Konkretisht, kur për një pasuri të paluajtshme në një zonë kadastrale, që i është nënshtruar regjistrimit fillestar, paraqitet kërkesë për regjistrim titulli pronësie, që mbivendoset në hartë, tërësisht ose pjesërisht, me një titull tjetër të regjistruar më parë, drejtoria vendore e Agjencisë së Kadastrës kontrollon hartën kadastrale për të identifikuar nëse mbivendosja buron nga gabime apo pasaktësi në pozicionimin e titullit të regjistruar në hartë dhe nëse është e nevojshme, evidenton në terren pasuritë.

Kur mbivendosja buron nga pasaktësi në hartën kadastrale, Agjencia bën korrigjimin në hartë dhe vijon me procedurat e regjistrimit. Gjatë evidentimit në terren mund të ndodh që konstatohet që ka parregullsi në pasqyrimin e shumë titujve, atëherë bëhen korrigjimet e nevojshme për secilin prej tyre. Më rëndësi është po ashtu edhe fakti që kur mbivendosja e pronës është e pjesshme, atëherë kjo nuk kushtëzon vijimësinë e procesit për sipërfaqen që është e lirë.

Video