Lulëzon tregtia e bananes, milionat që fshihen pas rritjes së importeve

20 Shtator 2022, 15:17Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shqipëria importoi 34 mijë tonë banane vitin e kaluar, me një vlerë totale prej rreth 25 milionë euro. Sipas të dhënave të Doganave, fruti ekzotik hyn në Shqipëri nga Ekuadori dhe Kolumbia, që në dekadën e fundit ka trefishuar importet drejt vendit tonë.

Baza e të dhënave Komtrejd (Comtrade) e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thotë se në 2011, importet ekuadoriane drejt Shqipërisë ishin rreth 10 milionë euro, ndërsa në 2020 shifra shkoi 26 milionë euro. Bananet përbëjnë pjesën dërrmuese të tyre me 22 milionë euro.

Nga të dhënat rezulton se shqiptarët konsumojnë mesatarisht në vit 13 kilogram banane për frymë, rreth 1 kilogram më shumë se mesatarja e Bashkimin Europian.

Tregu është i mbipopulluar edhe me kompani importuese, ku në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompanitë që kanë si objekt importin, apo tregtinë e bananes janë mbi 40.

Por, për një pjesë të këtyre kompanive bananet janë pjesa e dukshme e aktivitetit. E padukshmja është një tjetër. Aksionet e policisë në tre vitet e fundit kanë sekuestruar mbi 1.5 tonë kokainë të fshehur në kontenierë me banane.

Vetëm kjo sasi në treg kap vlerën e 500 milionë eurove, ose 20 herë më shumë se vlera e sasisë së bananeve të importuara gjatë të gjithë vitit 2021. Dërgesa më e madhe e kapur mbetet ajo e shkurtit 2018, kur u sekuestruan 613 kilogramë kokainë.

Video