Llogari bankare me komision 0, nis aplikimi për pensionistët dhe kategoritë sociale në nevojë

3 Prill 2024, 10:15Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Çdo pensionist që dëshiron të transferojë pensionin në bankë apo çdo individ nga kategoritë në nevojë, ka të drejtë të hapë një llogari bazike bankare, e cila do të ketë zero kosto për mirëmbajtje”.

Ligji për llogaritë bazike i cili ka si synim rritjen e depërtimit të shërbimeve bankare e financiare në popullatë dhe që parashikon përfitime për kategoritë në nevojë, ka nisur nga zbatimi.

Referuar ligjit, bankat do të ofrojnë të gjitha shërbimet me tarifë zero,  pavarësisht nga numri i veprimeve të kryera në llogarinë e pagesave me shërbime bazike për këto kategori, por hapja e një llogarie bankare nuk është detyrim.

Por sa pensionistë përfitojnë nga ky projektligj? Sipas të dhënave të siguruara nga SCAN TV, aktualisht janë 73.950 pensionistë që marrin pensionin përmes bankave dhe 666.300 e marrin në postë.

Pra e thënë ndryshe, aktualisht 10 për qind e pensionistëve marrin pensionin përmes bankave tregtare, kategori e cila do të përfitojë shërbime me zero komision, duke filluar nga komisioni i mirëmbajtjes së llogarisë i cili është mesatarisht 150 lekë në muaj apo 1800 mijë lekë në vit.

Ligji i ri për llogaritë bazike, ku përcaktohen kategoritë që përfitojnë shërbime me tarifa të reduktuara ose me tarifë zero, parashikohet edhe opsioni i transferimit të llogarisë, nga llogari normale në llogari bankare bazike.

Ndërkohë më tarifë zero do të jenë edhe shërbimet si hapja dhe mbyllja e llogarive bankare, tërheqjet në ATM, debitimet direkte; transaksionet e pagesave përmes një karte, përfshirë pagesat on-line; transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale dhe në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave on-line.

Sipas ligjit, zgjerimi i mundësisë për aksesin në llogaritë e transaksioneve është një kusht i domosdoshëm për të arritur objektivin kryesor, duke synuar të arrijë një raport të zotërimit të llogarisë në nivelin 70%.

Video