Kostoja e pagesave ndërkufitare të biznesit ulet me 5 herë, 20 mln euro kursim nga anëtarësimi në SEPA që në vitin e parë

15 October 2024, 11:44Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kostoja e pagesave ndërkufitare të biznesit ulet me 5 herë, 20

Anëtarësimi në SEPA pritet t’i kursejë Shqipërisë deri në 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Në kuadër të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka zhvilluar së fundmi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Këshillit Evropian të Pagesave dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit.

Gjatë takimeve të zhvilluara në Bruksel, u theksua se të gjitha vendet e rajonit kanë bërë përpjekje maksimale për anëtarësimin në SEPA dhe 3 prej tyre, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbyllur me sukses fazën e aplikimit. Shqipëria është një ndër 3 vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë përparuar bindshëm drejt anëtarësimit në SEPA dhe pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të jemi zyrtarisht pjesë e Tregut Unik të Pagesave në Euro.

Vlen të përmendet se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka përafruar legjislacionin e saj dhe ka hartuar rregulloren përkatëse, si gurë themeli të kërkesave të SEPA-s. Në fushën e pagesave, Shqipëria tregon një pajtueshmëri të lartë ligjore me acquis dhe me kuadrin rregullator të Tregut Unik të Pagesave në Euro.

Pjesëmarrja në SEPA mundëson realizimin e pagesave ndërkufitare në euro, me të njëjtat kosto si ato brenda vendit dhe pas anëtarësimit, kostoja e pagesave ndërkufitare në euro me vendet anëtare do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët.


Video