Bizneset e vogla morën 2.6 përqind më pak kredi në gusht ndërsa huatë afatgjata dhe në monedhë të huaj mbajnë rekordin

14 October 2024, 12:39Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Bizneset e vogla morën 2.6 përqind më pak kredi në gusht

Mikrobizneset ose bizneset e vogla, kanë marrë më pak kredi në muajin gusht. Referuar të dhënave agregate nga Banka e Shqipërisë, vlera e huave për mikrobizneset në fund të tetëmujorit ka pësuar një rënie me 2.6% krahasuar me korrikun. Konkretisht, shuma e huave të marra nga bizneset arriti në 26 miliardë lekë në gusht, rreth 689 milionë lekë kredi më pak se muajin pararendës.

Shumica e mikrobizneseve janë ndërmarrje të vogla familjare, të cilat gjenerojnë fitime tepër të ulëta vlerësuar me llojet e tjera të sipërmarrjeve. Ato mund të kenë një maksimum prej 5 punonjësish, por nuk janë të pakta edhe mikrobizneset të cilat operojnë vetëm me një person, i cili është pronari, por që kryen edhe aktivitete të tjera në biznesin e tij.

Ky lloj biznesi preferon më tepër huatë afatgjata, ku kjo e fundit zë 62% të totalit të kredisë ose gati 16 miliardë lekë, ndërkohë që huaja afatmesme përbën rreth 21% të shumës së përgjithshme të huasë, specifikisht 5.4 miliardë lekë dhe ajo afatshkurtër deri në një vit vetëm 17% ose 4.5 miliardë.

Për sa i përket llojit të monedhës, dominon kredia e marrë në valutë të huaj nga mikrobizneset. Nga statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, rezulton se kredia e marrë në monedhën kombëtare ishte rreth 10.1 miliardë lekë, ndërsa ajo e marrë në monedhë të huaj rreth 16.2 miliardë lekë.

Një pjesë e mirë e huave të këtij biznesi mbështetet nga institucionet financiare jobanka, për shkak se bankat e nivelit të dytë shpesh i konceptojnë me një nivel më të lartë risku se bizneset e vogla, të mesme, apo të mëdha.


Video