
Tre vjet nga shpallja e fituesit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është gati të nënshkruajë kontratën koncesionare për aksin Kashar – Lekaj, pjesë e autostradës Milot – Fier.
Ministri Enea Karakaçi deklaroi se ndodhen në fazën e oponencës teknike dhe brenda 2 apo 3 javësh pritet firmosja, që do i hapë rrugë fillimit të punimeve.
Fitues i garës koncesionare është shpallur një bashkim prej 7 operatorësh i përbërë nga “Gjoka Konstruksion”, “Junik”, “Cobial”, “Pepa Group”, “UDHA”, “Geoportal” dhe “A&E Engineering”, me një vlerë investimi të parashikuar prej 474,869,965 euro, pa TVSH.
Ky segment do të ndërtohet në një gjurmë të re, ndërkohë që në total do të ketë një gjatësi prej 33.6 km, por objekt koncesioni janë 26.6 km, pasi 7 km të këtij seksioni janë pjesë e bypassit të Tiranës dhe do të ndërtohen nga kompania që po kryen punimet për këtë të fundit. Kohëzgjatja e koncesionit do të jetë 35 vjet.
Ndërkaq, ndërtimi i Autostradës Milot–Fier, një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në vend, po ecën me ritme të ndryshme në pesë lotet e saj.
Me një gjatësi totale prej 114 kilometrash, kjo autostradë është pjesë e Korridorit Adriatiko–Jonian dhe përfshin lidhjen e një sërë segmentesh, që aktualisht ndodhen në faza të ndryshme.
Segmenti më i avancuar është ai Thumanë–Kashar, me një gjatësi prej 21 kilometrash, ku punimet kanë përfunduar dhe është hapur për qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë që edhe për 2 segmentet Milot – Thumanë dhe Lekaj – Fier pritet nisja e punimeve përmes kontratave koncesionare.
Sa i takon bypassit të Tiranës, ai financohet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit dhe aktualisht kanë nisur punimet, raporton ScanTV.