Cilët biznese morën më shumë kredi? Tregtia kryesoi për vitin 2023

12 Shkurt 2024, 12:45Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e “Bankës së Shqipërisë” përsa i përket financimit të sektorit privat me kredi për të kuptuar se cilat segmente të këtij sektori kanë kërkuar mbështetjen e ndërmjetësve financiarë për ushtrimin e aktivitetit të tyre. Nëse shohim totalin e huave të shpërndara gjatë vitit që lamë pas vlera fikoshet në 217 miliardë lekë, krahasuar me 186 miliardë lekë të shpërndara si hua për biznese të sektorëve të ndryshëm ekonomik për 2022-shin. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një rritje prej 16% të financimit me kredi nga njëri vit në tjetrin.

Sipas shifrave konstatojmë se aktiviteti që ka marrë më shumë hua gjatë vitit të kaluar është “Tregtia me shumicë dhe me pakicë” që përfshin edhe riparimin e automjeteve dhe motoçikletave. Nëse flasim në shifra ekzakte shohim se ky sektor ka marrë rreth 80 mld lekë hua të re gjatë vitit 2023, duke u renditur kështu në vendin e parë ashtu si në vitin 2022, ku mori hua të re shumën prej 64 mld lekëve.

Të dhënat nga institucioni i bankës tregojnë se në vendin e dytë renditet sektori i ndërtimit me 39.5 mld lekë kredi të re. Shifrat konfirmojnë se ky sektor ka patur një rritje të ndjeshme të kërkesës prej 7% gjatë vitit 2023. Krahasuar me vitin paraardhës pozicionet e sektorëve mbeten të pandryshuara edhe për vendin e 3-të dhe të 4-të, ku gjejmë përkatësisht “Industrinë e Përpunimit” me 24.7 mld lekë dhe “Aktivitete të tjera shërbimesh”, me 12.8 mld lekë hua të re gjatë vitit 2023.

Nga ana tjetër, përsa i përket sektorëve që kanë marrë më pak hua të re gjatë vitit të kaluar, në vend të fundit, me vetëm 3 mld lekë kredi të re gjejmë “Organizmat ndërkombëtare”. Më pas ndjek “Administrimi publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm” me 444 milionë lekë hua të re, ose 2120% më shumë krahasuar me vitin 2022. Gjithashtu edhe sektorë të rëndësishëm si “Arsimi”,”Shëndetësia” dhe “Aktivitetet e pasurive të paluajtshme” renditen si sektorë që kanë zgjedhur të marrin një financim të kufizuar nga bankat që operojnë në vendin tonë. Gjatë vitit 2023 për këto sektorë u dhanë përkatësisht 355 mln lekë për arsimin, 4.1 mld lekë për shëndetësinë dhe 9.4 mld lekë për pasuritë e paluajtshme.

Për një pjesë të konsiderueshme të bizneseve viti 2023 ka rezultuar pozitiv, duke i drejtuar ata më pak drejt bankave për kredi. Konkretisht aktiviteti i “Arsimit” ka ulur kërkesën për hua me 68%, sektori “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve” me 67%, ”Informacioni dhe komunikacioni” me 58%, ndërsa  ‘‘Arte argëtim, çlodhje” me 57%. Ndërkohë, për sektorët si ‘”Energjia elektrike, furnizimi me gaz, avull, ajër i kondicionuar’’ dhe ”Industria Nxjerrëse” kjo rënie varion nga 18% në 32%.

Video