
Muajt e fundit, bankat tregtare po ulin përsëri huatë e dhëna jashtë vendit dhe po i orientojnë investimet e tyre jorezidente drejt instrumenteve me rrezik më të ulët.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për jorezidentët pësoi rënie për të katërtin muaj radhazi në janar dhe zbriti në vlerën e 42 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, portofoli i kredisë jorezidente është zvogëluar me 23%. Vlera e shënuar në janar është njëkohësisht më e ulëta që prej fundit të vitit 2019. Edhe pesha specifike e kredisë jorezidente kundrejt huasë totale të sektorit bankar ka rënë më tej në 6.4%, nga 8.2% që kishte qenë një vit më parë.
Nga ana tjetër, bankat kanë vijuar të rrisin me ritme të larta investimet në letra me vlerë të emetuesve jorezidentë në Shqipëri. Në fund të muajit janar të këtij viti, portofoli i këtyre instrumenteve arriti në pothuajse 180 miliardë lekë ose rreth 1.5 miliardë eurove. Vlera e këtyre instrumenteve në bilancet e bankave shqiptare është rritur me pothuajse 26% brenda një viti.
Shkalla e lartë e euroizimit të depozitave dhe madje rritja me ritme rekord e depozitave në euro vitin e kaluar i ka vendosur bankat përballë një zgjerim të tepricës së likuiditetit në euro. Në fund të vitit 2021, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave shënoi nivelin 51.8%, ose 0.9 pikë përqindje më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në vlerë, depozitat në valutë janë rritur me 12.5% krahasuar me vitin 2020.
Besohet se ky është një nga faktorët që solli kthimin e rritjes së kredisë në valutë të huaj gjatë vitit 2021. Vitin e kaluar, portofoli i kredive në valutë u zgjerua me shumën ekuivalente të rreth 36.2 miliardë lekëve. Kjo shifër përfaqëson edhe zgjerimin më të madh të portofolit të kredisë në valutë gjatë tre viteve të fundit. Në fund të vitit 2021, kreditë në valutë shënuan 51.1% të portofolit të kredive, ose 0.8 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Por, me gjithë rritjen e kredisë vitin e shkuar, hapësirat për të investuar valutën në asete brenda vendit janë të kufizuara. Kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk inkurajon sidomos dhënien e kredisë në valutë për ata huamarrës që i kanë të ardhurat në lekë. Përveç kreditimit, alternativat e tjera janë të pakta. Bankat shqiptare kanë qenë ndër blerëset më të interesuara të obligacioneve në euro të qeverisë shqiptare, por edhe në rastin e eurobondeve kuotat për bankat tregtare vendase kanë qenë të kufizuara. Për këtë arsye, zgjerimi i vlerës së aseteve jorezidente është i pashmangshëm dhe bankat në muajt e fundit po orientohen kryesisht drejt titujve të borxhit. Në pjesën dërrmuese, këto investime shkojnë në obligacione të qeverive apo institucioneve financiare, që përfaqësojnë në vetvete instrumente me rrezik të ulët.
Ndërkohë, kreditimi për subjekte jashtë Shqipërisë është sërish në rënie, çka tregon se bankat po ulin ekspozimet që bartin potencialisht rreziqe më të mëdha. Kredia jorezidente e sektorit bankar shqiptar arriti pikun në vitin 2017, por edhe atëherë ajo ka qenë e kufizuar në pak banka të mëdha të sistemit. Këto banka vitet e fundit kanë kërkuar alternativa huadhënieje në vendet e rajonit, sidomos në tregje si Kosova, ku kthimet janë të kënaqshme dhe raporti i kredive me probleme ka qenë i ulët.
