“Viktima” e parë e gazit rus në BE, Sllovakia gati ta paguajë në rubla

4 April 2022, 21:35Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Viktima” e parë e gazit rus në BE, Sllovakia gati ta

Sllovakia është vendi i parë anëtar i Bashkimit Europian që bie përballë presioni rus për të paguar gazin me rubla.

Ministri sllovak i Ekonomisë, Richard Sulik tha se vendi i tij ishte gati që të paguante për gazin rus në rubla nëse kjo do të ishte e nevojshme për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me gaz.

Sulik e tha këtë gjatë një interviste për televizionin kombëtar. "Nëse ka një kusht për ta bërë pagesën në rubla, atëherë ne paguajmë në rubla", tha ai.

Ministri theksoi se importet ruse përbëjnë rreth 85 për qind të të gjitha furnizimeve me gaz në Sllovaki dhe për këtë arsye autoritetet e vendit do të mbajnë një qëndrim pragmatik në këtë drejtim.

Sulik i kërkoi pjesës tjetër të Europës të gjente një zgjidhje të përbashkët. "Ne nuk mund të heqim dorë nga gazi",- theksoi ai.

Në një linjë me disa politikanë të tjerë europianë, edhe ministri sllovak i Ekonomisë u shpreh se furnizuesit duhet të diversifikohen, por për këtë mund të duhen vite, ndërsa ata kanë vetëm dy muaj kohë për të zgjidhur problemin aktual të blerjes së karburanteve.

Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret të ri, që prezantonte mekanizmin e pagesës së gazit në rubla.


Video