Pas humbjes në zgjedhje përballë studentëve ish-presidenti serb Aleksandër Vuçiç është shfaqur duke kënduar këngën “Vidovdan”, një prej simboleve të nacionalizmit serb, në një takim me mbështetësit e tij në veri të Serbisë, ku Kosova ishte sërish në qendër të mesazhit politik.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar mbrëmjen e së premtes në qytetin e Sremska Mitrovicës, në rajonin e Vojvodinës, Vuçiç iu bashkua mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në interpretimin e këngës, ndërsa ish-kryeministrja Ana Bërnabiç e përqafonte.
“Kudo që shkoj, te ti kthehem sërish; askush s’mund të ma heqë Kosovën nga shpirti”, këndoi Vuçiç, duke përcjellë një mesazh që ka shoqëruar për dekada politikën nacionaliste në Serbi.
Kënga “Vidovdan”, e krijuar në vitin 1989 dhe e interpretuar nga Gordana Lazareviç, lidhet me kujtesën historike serbe për Betejën e Kosovës të vitit 1389.
Ajo u kthye në një simbol të nacionalizmit serb në të njëjtën periudhë kur Sllobodan Millosheviçi përdorte mitin e Kosovës për të mobilizuar mbështetjen politike.