
Dihet ajo historia vërtetë dramatike e atyre ushtarëve japonezë që ende aty nga vitet '50 qëndronin diku në një ishull dhe nuk dorëzoheshin. "Dilni mo!" - iu thoshin se "ka përfunduar Lufta e dytë botërore!" Po merrnin vesh ata? Hiç! Propagandë e armikut - mendonin!
Edhe shqiptarët deri aty nga treçereku i shekullit të 19 - të kujtonin se Perandoria Osmane ishte e përjetshme, nuk e kuptonin se kishte vdekur. Popujt e tjerë i kishin lënë shëndenë. Edhe Bab Haxhi Qamili ende në kohën e Luftës së Parë Botërore kërkonte Sulltanin. Donte Babën, ja s'ka!
Kuislingët kujtonin se aty nga vitet '40 ishin vërtet qeveria e Shqipërisë, dhe i mbushnin mendjen se hitlerianët thjesht kishin ardhur me pushime, sa për të kaluar!!! Se ku do shkonin këtej një dreq e di!
Kur vendet e tjera socialiste e hodhën me këmbëpërpjetë stalinizmin pas vitit 1956, komunistët shqiptarë mendonin se Stalini ishte baba i kombeve. Ende qëndruan në stalinizëm!
Edhe në 1989, Lindja u bashkua me Perëndimin në një botë të hapur, ne qëndronim te ura.
Ajo është në BE tani, kurse ne dymijë vite pas te Ballkani i hapur!
Historianë, ekonomistë, lëre deputetët, kujtojnë se bota ende është në kapitalizëm, dhe ta thonë pa pikë turpi se po ndërtojmë kapitalizmin! Ose: Epooo, kapitalizmi kështu e ka!
Të tjerët kanë ikur në shoqërinë postkapitaliste ose quheni ndryshe. Kapitalizmi ka mbaruar me kohë e me fakt në Perëndim! Sepse historianët, ekonomistët, sociologët, politologët, nuk di kush tjetër, nuk e kanë lexuar Shumpeterin, as veprat e tij madhore!
Kapitalizmi ka cof!
E para në pronësi. Pronari kapitalist nuk është ai që e drejton pronës, por jakat e bardha! Te ne pronari është edhe administrator, edhe teknik, edhe kur merr nga këta, në fakt drejton vetë.
E dyta nga pikëpamja e klasave dhe shtresave shoqërore. Klasat dhe shtresat pronare të mesme dhe sidomos të vogla janë rrudhur. Kurse te ne hap një banak, një atelier për riparim makinash, cel një dyqan, një pijetore, dhe thotë kam biznes!
E treta nga ana financiare. Pak parà që mbahen për përdorim vetjak vijnë nga prona, ato riinvestohen. Kurse shtresat e larta të shoqërisë i marrin paratë nga shërbimet që bëjnë. Te ne, hiq një dy a tre profesione shërbimesh fitojnë, të tjerët, pasunorët bëjnë miliarda e miliona nga pronat e trafiqet, duke lundruar në lluks, kurse të tjerët çfarë shërbimesh? O kërrus belin ose i papunë.
E katërta, nga pikëpamja e vendimmarrjes. Janë votuesit që në fund vendosin në Perëndim, nuk bën lesh e li dhe si i do qejfi njeri. Kurse te ne klasa sunduese, sidomos deputetët, varen nga vullneti i kryetarëve të partisë, janë ushtarë të tyre, kukulla, kurse kush hypën në pushtet nuk zbret më veçse nëse i ngordh kali!
E pesta, ca pesha të lehta mendore kujtojnë se në Perëndim sundon konkurrenca perfekte si në shekullin 17, 18, apo edhe pak më vonë. Nuk e dinë se monopoli i shëndetshëm ka korrigjuar ekseset shkatërrimtare të konkurrencës së lirë! Këtu në tre metra janë shtatë farmaci! Monopoli quhet i gjithi i keq, sido që është!
E po kapitalizëm ! - thonë injorantët, si në BE, në Amerikë, në vendet nordike... Po atje kapitalizmi ka rënë. E njihni teorinë e madhe të "shkatërrimit krijues të Shumpeterit"?
Vazhdoni bëni seminare, konferenca shkencore, trajnime, merrni edhe tituj!
Kurse modeli social dhe ekonomik i vendit ka ngel në kohën e Bab Haxhi Qamilit!
Ka ngel në kapitalizëm :))
Jemi një epokë mbrapa!