
Nga Agron Brataj
I humbur, i pezulluar, të pritet dëshira për të luajtur futboll.
Ekipi i parë i Flamurtarit këtë sezon u masakrua nga gjyqtari Hamiti në ndeshjen e parafundit të kampionatit, ku u pa qartë masakra që ai i bëri ekipit dhe e rrëzoi nga kategoria pa asnjë lloj mëshire apo dinjiteti, pa asnjë lloj përgjegjësie.
Por, siç e theksova edhe më lart, boll që në fanellë të kesh emrin Flamurtar dhe je i dënuar; pavarësisht moshës, ti je i pezulluar.
Kështu ndodhi edhe dje me ekipin e të rinjve të Flamurtarit.
Në Rrogozhinë zhvillohej ndeshja e play-off-it ndërmjet Flamurtarit dhe Vorës, ku Flamurtari po luante për t’u ngjitur në Superligë.
Por një tjetër arbitër skandaloz, Erjon Bylybashi këtë herë, në minutën e 20-të solli një dëmtim të rëndë për futbollistin e ri vlonjat Gledis Haxhiraj, i cili u transportua në spitalin e Traumës në Tiranë, direkt në sallën e operimit, pasi kishte thyer kockën poshtë syrit.
Për kundërshtarët asnjë karton dhe asnjë tërheqje vëmendjeje.
Gjatë arbitrimit skandaloz të Bylybashit, ekipi i të rinjve vlonjatë mori 9 kartona të verdhë dhe një karton të kuq, dhe u ndëshkua me një gol në pozicion jashtë loje.
Në shumë shkrime, shumë gazetarë janë shprehur se sporti shqiptar tashmë është në dorën e krimit dhe nuk ka dyshime.
Por një gjë është për t’u ardhur shumë keq: ky krim nuk vret vetëm sportin, nuk vret vetëm ekonominë e ekipeve sportive, por ka filluar të vrasë rininë sportive, të vrasë ëndrrën e të rinjve sportistë që e dashurojnë sportin, futbollin dhe sportin në përgjithësi.
Të paktën, o federatë e futbollit kriminal, mos jua prishni ëndrrën të rinjve, mos jua vrisni shpresën kësaj rinie shqiptare.
Mos i lini të lënë sportin dhe të marrin rrugën e krimit.
Lerini të luajnë dhe të mësohen me sportin luftarak, me respektin për sportin dhe për jetën.
Mos e hidhni në rrugë rininë dhe fëmijërinë shqiptare.