Kiarostami dhe fëmija që mbledhë dritë

22 Maj 2026, 12:12Pikëpamje SHKRUAR NGA RINë ZHITIA
“Where Is the Friend's House?” (1987)

Nga Rinë Zhitia
Filmi “Where Is the Friend's House?” (1987), i Abbas Kiarostamit, nis me një gabim të thjeshtë: Ahmadi, 8-vjeçari protagonist, merr aksidentalisht fletoren e shokut të tij, Mohammad Reza. Ky akt, minor në dukje, shndërrohet shpejt në ankth ekzistencial, duke e detyruar Ahmadin të ndërmarrë një udhëtim njëditor në fshatin fqinj për ta gjetur shtëpinë e shokut, që t’ia kthejë fletoren dhe ta shpëtojë nga përjashtimi i paralajmëruar nga mësuesi. Përtej pamjeve poetike të fshatit, filmi rezonon thellë për shkak të pasqyrimit të botës së të rriturve si sistem i ngurtë e i mveshur me rigjiditet racional, i cili shpërfill aftësinë e fëmijës për të gjykuar drejt.

Të rriturit që takon rrugës, të ngarkuar me peshën e roleve sociale, nuk e kuptojnë urgjencën e Ahmadit. Fëmija nuk mban peshën e rendit shoqëror as mbijetesës, ai motivohet thjesht nga ankthi i së bërit gjënë e duhur. Urdhri i nënës për të kryer detyrat e pastaj të “luajë”,  shërben si metaforë e përplasjes mes pragmatizmit të të rriturve dhe ndjeshmërisë fëmijnore. Në këtë mes, Ahmadi zgjedh obligimin moral ndaj shokut, duke rrezikuar ndëshkimin fizik, pasi e kupton se përjashtimi i shokut të tij është peshë morale që nuk ia lejon vetes.

Kiarostami e trajton këtë rrugëtim përmes një gjuhe vizuale, thelbi i së cilës qëndron te natyrshmëria dhe sinqeriteti. Aktorët joprofesionistë dhe natyra e vrazhdë e fshatit është skenografia dhe labirinti fizik e emocional ku Ahmadi endet i vetmuar. Rrugicat e pjerrëta dhe tatëpjetat e fshatit bëhen simbole të sfidave të rritjes. Në këtë botë indiferente, Ahmadi kërkon udhëzime nga të rriturit, por ata, të ngujuar në rolet dhe preokupimet e tyre jetësore, janë indiferent ndaj kërkesave të tij.

Përplasja mes botëve bëhet edhe më e qartë tek takimi me Mortezan, shokun e klasës që mbart kova të rënda me qumësht, duke shpërfaqur arsyen e dhimbjes së shpinës që mësuesi në klasë e shpërfill në fillim të filmit. Kjo sekuencë na e qartëson faktin se detyrat e shtëpisë nuk janë vetëm shkollore, dhe njëkohësisht, e bën Mortezan të vetmin që mund ta kuptojë vërtet misionin e Ahmadit. Ai e udhëzon shokun e tij, sepse e njeh mirë peshën e frikës nga ndëshkimi, temë kjo që Kiarostami e trajton me thellësi edhe në dokumentarin Homework.

Në këtë kontekst, "shtëpia e shokut" është analogji për kërkimin e kuptimit dhe barazisë, shtëpinë e "të ngjashmit", atij që njeh dhe pranon vlerën tonë. Kiarostami, poet dhe koleksionuesi i poezisë iraniane, gjen frymëzim te vargu i Sohrab Sepehri-t, duke na ftuar të tejkalojmë "pjekurinë" për ta takuar fëmijën që mbledh dritë si udhërrëfyes të jetës. Në fund, detyra e Ahmadit nuk vetëm detyrë shkollore, por leksion mbi solidaritetin, këtë virtyt që ne shpesh si të rritur, e harrojmë. Fëmija bëhet mësuesi ynë, ndërsa të rriturit mbeten të burgosur të normave të ngurta, fëmijët na kujtojnë se shpëtimi i tjetrit është në thelb shpëtimi i njerzillëkut tonë.

 


Video