Trump dukej më shumë si një Don Corleone përballë Zelenskyt dhe pse për kombin shqiptar situata po bëhet e rrezikshme

1 Mars 2025, 12:34Pikëpamje SHKRUAR NGA ÇAPAJEV GJOKUTAJ
Trump-Zelensky

NGA ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Donald Trump dukej më shumë si Don Corleone sesa një president amerikan të premten, kur publikisht synoi të detyronte presidentin Zelensky të pranonte një marrëveshje armëpushimi me Rusinë…

Presidenti amerikan e sheh veten më shumë si një ndërmjetës midis Rusisë dhe Ukrainës, sesa si udhëheqës i botës së lirë… Dje veproi sikur të ishte më i lidhur me agresorin autoritar sesa me viktimën demokratike.

Këto konstatime e vlerësime nuk janë të miat, i ka artikuluar bordi editorial i Washington Post, menjëherë pas dështimit të takimit Trump-Zelensky. Në fakt i pari, dmth i zoti shtëpisë, e përzuri të dytin, dmth mysafirin, pa nënshkruar marrëveshjen e parashikuar për mineralet e rralla dhe duke i dhënë një ultimatum: kthehu kur të jesh gati të nënshkruash paqen me Rusinë.

Përleshja verbale e dy burrave të shtetit, jo në një dhomë të mbyllur negociatash, po para kamerave të mediave amerikane dhe atyre botërore, është akt i paprecedent në historinë e diplomacisë moderne, vërejnë një pjesë e analistëve.

Vetiu lind pyetja: u doli takimi duarsh apo kishim të bënim me një shfaqje që mikpritësit e kishin parapërgatitur dhe mysafiri i ra karremit i shtyrë nga emocionet dhe nga dëshira për të luajtur të fortin?

Sido që të jetë, duket se dështimi i bujshëm i këtij takimi, do ketë pasoja të thella për Ukrainën po edhe për BE-në. A do të mundej kjo e fundit të kompensonte mungesën e ndihmave amerikane, nëse po me çfarë pasojash? Po luan bixhoz me luftën e tretë botërore, e paralajmëroi amerikani ukrainasin dhe vështirë të thuash ku mbaron shantazhi e ku fillon realiteti.

Për të mos kujtuar pastaj se dy luftrat botërore, ndërsa bënë gërmadhë Europën, në trojet amerikane nuk arritën dot.

Porosia e Trumpit ‘kthehu kur të jesh gati për paqe’, merr tone ironike po të kesh parasysh se prej muajsh ushtria ukrainase vuan mungesë ushtarësh e oficerësh të përgatitur, por akoma më shumë vuan një dekurajim e ligështim moral që sa vete e rritet.

Braktisja demonstrative nga amerikanët do ta rriste  frymën disfatiste, do lehtësonte përparimin rus në territoret ukrainase dhe kthimi i Zelenskyt në Uashington do të ishte tamam si e djalit plangprishës: për një paqe shumë të kushtueshme.

Të gjitha këto mund të jenë të vërteta, por po kaq i vërtetë mbetet edhe konstatimi i bordit editorial të WP se dje Donald Trump ngjante si Don Corleone dhe jo si president amerikan, mbrojtës i vlerave perëndimore.

Druaj se, parë në raport me ne, dmth me kombin shqiptar dhe çështjen tonë kombëtare situata po bëhet e rrezikshme.

*Titulli redaksional

Video