Revolucioni apo rotacion politik?

13 Qershor 2026, 16:27Pikëpamje SHKRUAR NGA SADEDIN MEZURAJ
Pamje nga protesta

Protesta e Tiranës, të cilën analistë e kanë pagëzuar si Revolucioni i Flamingove, ka lënë pas ditën e saj të trembëdhjetë. E inicuar nga shoqatat ambientaliste si reagim për mbrojtjen mjedisit në Zvërnec dhe lagunën e Nartës, tashmë protesta, me parrullat e artikuluara, praktikisht është futur në terrenin politik.Qytetarët e këtij vendi të lirë kanë dalë në protestë dhe përsëri kërkojnë liri. Ky nuk është paradoks. Sepse liria nuk është një kuotë apo cak përfundimtar, por një proces, ku çdo brez synon një stad të ri në rrugën e zhvillimit demokratik.

Të tjerë komentatorë politikë, protestën e kanë cilësuar si lëvizje qytetare të Gjeneratës Z, ku përfshihen të lindurit në harkun e viteve 1990–2010, si pasues të "Gjeneratës së Heshtur" ose X (1960–1990). Pra, në një farë kuptimi, në protestën me një spektër laraman,Gen Z përfaqëson fëmijët e lindur në tranzicion dhe bijtë e atij brezi, i cili me vendosjen e demokracisë fitoi lirinë dhe të drejtat bazike dhe në rrjedhat e një tranzicioni traumatik, siguroi një standard të ri material, krahasuar me barazitizmin e varfërisë në ish-regjimin komunist.

Kurse Gjenerata Z, si shpirti i protestës dhe zëdhënëse e një mase të gjerë qytetarësh të zemëruar me padrejtësitë e akumuluara të tranzicionit, ka një qasje tjetër, ka kërkesa të tjera, të cilat, në thelb, janë kërkesa për më shumë liri pozitive brenda lirisë së arritur, që nënkupton një demokraci më funksionale, më cilësore, me mundësi të barabarta, me shanse jete dhe zhvillim më gjithëpërfshirës. Është brezi që ka krijuar vetëdijen se të ardhmen duhet ta kërkojë Këtu dhe jo gjetiu, Tani dhe jo të shtyrë në një të ardhme që nuk vjen kurrë.

Na ishte krijuar përshtypja e gabuar se ky brez i rritur me rrjetet sociale dhe InstaStory, pjesëmarrës në gostinë e hedonizmit konsumerist neoliberal, na qenkësh apatik dhe apolitik. Befas, ai u zgjua dhe artikuloi thirrjen e harruar të etërve – "Revolucion" – thirrje ku bashkohet britma e zemërimit me shpresën e ndryshimit të madh. Me parullat e tyre në protestë, me memet cinike dhe mllefin e shfryrë ashpërsisht në rrjetet sociale, ata shprehen kundër establishmentit politik dhe gjithçkaje të servirur deri tani si progres.

Nga kjo pikëpamje, protestuesi anonim, si simbol i kësaj lëvizjeje qytetare pa fytyra përfaqësuese, më duket si shembëlltyra e Bazarovit nihilist në novelën Etër dhe Bij të Turgenjevit. Të revoltuarit që kanë dalë në shesh janë bijtë e tranzicionit, të cilët nuk duan të jenë "njerëz të tepërt", të dëshpëruar dhe të përjashtuar nga shoqëria, me të vetmen alternativë shpëtimi – emigracionin.

Nisur nga parullat e hedhura në protestë dhe diskursi në rrjetet sociale, Gjenerata Z, me kërkesat e saj për një demokraci më funksionale, përfaqëson të rinj, kryesisht nga klasa e mesme, e cila po strukturohet si një forcë shoqërore dhe politike. Edhe pse nuk jeton në shoqërinë e supermirëqenies, në Lëvizjen Qytetare të Tiranës mund të konstatohet një orientim drejt vlerave "postmaterialiste" të mbrojtjes së mjedisit, rritjes së pjesëmarrjes në vendimmarrje, transparencës etj.

Po të ndjekësh me vëmendje prononcimet e figurave protagoniste të protestës, statuset e aktivistëve të shoqërisë civile dhe komentet e shumta në rrjetet sociale, kupton se brenda kësaj lëvizjeje qytetare gëlojnë rryma të ndryshme, të majtë me frymëzime neomarksiste antiglobaliste, të djathtë nacionalistë sovranistë, predikues të izolacionizmit dhe zhvillimit të kapitalizmit "me forcat tona", qytetarë të frustruar prej polarizimit ekstrem dhe përjashtimit social etj. Të gjitha këto rryma të përfshira në protestë, janë rritur në një terren fertil që ushqen një zemërim më të gjerë antiqeveritar, përtej kauzës së mbrojtjes së pelikanëve dhe gjallesave në Zvërnec.

Kapitalizmi pashmangshëm prodhon pabarazi sociale. Është e qartë se nuk do të bëhen të gjithë të pasur. Por, përtej këtyre perceptimeve naive të kapitalizmit, çështja është se modeli i zhvillimit, i promovuar gjatë këtyre tre dekadave e gjysmë nga qeverite e majta dhe të djathta, po thellon hendekun e polarizimeve të skajshme dhe zhvillimin e pabarabartë rajonal. Një pakicë po krijon polin e të pasurve me kapitale stratosferike, e mbështetur nga shteti përmes politikave preferenciale klienteliste dhe, nga ana tjetër, po krijohet një shumicë e cila qëndron e rrezikuar afër vijës së varfërisë.

Qytetarët e thjeshtë e ndjejnë veten të përjashtuar nga "të mirat" e këtij modeli zhvillimi që prodhon varfëri, margjinalizim, polarizim, rajone rurale dhe periferike të shpopulluara dhe largimin e të rinjve në emigracion.

Në qoftë se të rinjve u predikohet të kenë durim, të punojnë fort dhe, ndërkohë, mënyra më e shpejtë për të bërë para dhe për t'u ngjitur në hierarkinë sociale është militantizmi partiak, korrupsioni endemik, spekulimi dhe aktivitetet kriminale, ajo çka rezulton – e shprehur sipas Robert Mertonit – është anomia, si "kolaps në strukturën kulturore të shoqërisë". Përtej logos së flamingos së brishtë, rrotull të revoltuarve të Tiranës vërtiten edhe hijet e Tiranisë së Turmës, të manifestuara në qëndrimet përjashtuese "në emër të popullit" dhe jakobinizmin e shpalosur në thirrjet patetike "në burg", "vdekje tradhtarëve" etj.

Parulla me "atdhetarë dhe tradhtarë" mbart premisat e radikalizimit përjashtues. Madje narrativën me "atdhetarë dhe tradhtarë" e kemi fiksuar edhe në tekstin e Himnit tonë Kombëtar. Historia jonë e afërt na tregon se në emër të betimeve për atdheun dhe sovranitetin ka ndodhur të eliminohen atdhetarët e vërtetë dhe turmat e ideologjizuara të ndërsehen në gjuetinë dhe linçimin publik të "shtrigave tradhtare".

Shqipëria moderne është ndërtuar mbi një traumë historike të vazhdueshme me pushtime, copëtim territoresh, ndërhyrje të huaja, shpopullime dhe emigracione masive. Për këtë arsye, figura e "shitjes së atdheut" ka një rezonancë emocionale shumë më të madhe sesa thjesht akuzat për korrupsion, shpërdorim posti apo shkelje të ligjeve. Prandaj, slogani "Shqipëria nuk shitet" nuk buron vetëm nga mllefi për politikën e ditës, por prek një kujtesë kolektive shumë më të vjetër.

Qasja konfliktuale mes "atdhetarëve" dhe "tradhtarëve", debatin e munguar publik mbi qeverisjen dhe modelet e zhvillimit të vendit, e kthen në një gjyq moral, ku logjika dominohet nga emocionet dhe aksioni publik merr tiparet e histerisë kolektive.

Stanjacioni, apatia sociale dhe përshtatja me status quo-në krijojnë përshtypjen e një të tashmeje të pafundme, të përjetshme, ku elitat politike riciklohen dhe qytetari humb besimin se mund të ndikojë në rrjedhën e ngjarjeve. Përkundër predikimit për “fundin e historisë”, rotacionet politike, vazhdimi i procesit demokratik dhe përsëritja e të njëjtave premtime nga elitat politike, krijojnë perceptimin e një historie lineare, të një të tashmeje pa fund, ku nuk ka asnjë horizont të ri alternativ.

Befasisht, e nxitur prej pamjeve skandaloze të Zvërnecit, protesta ra si rrufeja në qiell të pastër. Ndodhi ajo që Walter Benjamin, në esenë On the Concept of History, e quan “momenti mesianik”, si çarje e kohës homogjene, si mundësia e një horizonti të ri, ku revolucionet ndodhin jo në emër të utopive futuriste, por kur brezi aktual ngrihet në emër të vuajtjeve, sakrificave dhe ëndrrave të papërmbushura të brezave të shkuar. Janë zhgënjimet e heshtura, të akumuluara gradualisht, të cilat në një moment gjejnë shtegun për të shpërthyer në protestë.

Kontrata sociale vihet në pikëpyetje. “Kohët kur skeleti i kontratës shoqërore zhvishet nga lëkura, mishi dhe gjaku, janë edhe kohët kur shtrohen pyetje themelore. Ndonjëherë ato gjejnë përgjigje”-thotë sociologu Ralf Dahrendorf. Me parrullën për “Shqipërinë e re”, protestuesit po artikulojnë nevojën e një kontrate të re sociale , ridimensionimin e institucioneve përfaqsuese dhe të ligjit elektoral.

Përtej spektrit laraman të Lëvizjes Qytetare apo “Revolucionit të Flamingove”, kauzave të ndryshme dhe motiveve të pjesëmarrjes, një nga pyetjet themelore që shtrohet sot është ajo mbi modelin e zhvillimit të ekonomisë së tregut, mbi rolin e shtetit dhe raportet mes publikes dhe privates. Protesta qytetare sot ka shtuar pyetje thelbësore për modelin e zhvillimit të turizmit – masiv apo me resorte luksoze të mbyllura për elitat e pasura? A duhet shitur toka të huajve, sidomos në zonat me rëndësi strategjike ? Nëse turizmi do të jetë e vetmja alternativë e zhvillimit ekonomik apo duhen stimuluar bujqësia, industritë e prodhimit dhe përpunimit, të cilat sigurojnë punësim dhe zhvillim të balancuar rajonal etj. etj.

Thirrjet korale të protestuesve: “Revolucion! Revolucion!”, duken si thirrje mobilizuese për rritjen e pjesëmarrjes qytetare por edhe shprehje e një vullneti për ndryshime rrënjësore. Studiues, sociologë dhe deri te antropologë të ritualit kanë vërejtur se revolucionet, përpos mobilizimit, kanë edhe një dimension festiv. Njerëzit që protestojnë ndjejnë euforinë e çlirimit. Sheshi mbushet me këngë, simbole, parulla, flamuj dhe një energji kolektive ndjehet gjithandej. Protesta e Tiranës mund të lexohet si tension mes dy mundësive: nga njëra anë ajo shënon rikthimin e qytetarit të përjashtuar dhe që shpërfillej në hapësirën publike. Nga ana tjetër, duke mbetur në formatin e deritanishëm si manifestim qytetar, pa fytyra përfaqësuese dhe pa propozime për të ardhmen, protesta mbart rrezikun e çdo lëvizjeje kolektive, pra iluzionin se rrëzimi i një qeverie është i barabartë me shpëtimin e shoqërisë.

Prandaj pyetja që shtrohet sot nuk është nëse protesta do të rrëzojë apo jo qeverinë. Pyetja më e thellë është se çfarë kërkohet përmes protestës: revolucion apo rotacion politik? Në studimet politike, disa autorë përdorin termin “revolucion demokratik” për procese ku qytetarët mobilizohen masivisht; zgjerohen të drejtat politike; transformohen institucionet; ndryshon rendi kushtetues dhe riformatohet arkitektura e ndërtimit të shtetit. Shembuj të tillë shpesh diskutohen në lidhje me tranzicionet nga autoritarizmi në demokraci më pjesëmarrëse ose me zgjerime të mëdha të të drejtave civile.

Nëse stanjacioni dhe “ngrirja e historisë” krijojnë iluzionin e të tashmes së përjetshme, revolucioni mund të krijojë iluzionin e kundërt, se një akt i vetëm, pra rrëzimi i qeverisë, do të hapë menjëherë një epokë të re. Kjo do të thotë se “Revolucioni i Flamingove”, sido që të vazhdojë, në kuptimin më të thellë nuk duhet perceptuar si premtim për parajsën në “Shqipërinë e Re”.

Po a do të arrijë kjo protestë të shënojë një kthesë historike, apo ajo do të kapitalizohet nga spektri aktual opozitar, si trampolinë për të ardhur në pushtet? A do të shënojë protesta një revolucion duke pensionuar elitën e vjetër politike apo e gjithë beteja do të përfundojë si rotacion politik, ku “atdhetari, roja besnike e trojeve shqiptare” do të zëvendësojë “tradhtarin, shitësin e Zvërnecit dhe armikun e flamingove”?!

Protesta deri tani përfaqëson një akt qytetar që thotë: “E tashmja nuk është e vetmja botë e mundshme”. Në këtë kuptim, protesta hapet si një mundësi, si çarje e kohës lineare dhe projektim i një horizonti të ri. Megjithatë, është ende herët për të bërë prognoza dhe brohoritur me entuziazëm, sepse, sikurse thotë poeti Ervin Hatibi në një nga poezitë e tij: "Të gjitha revolucionet të parafundit janë". Sepse asnjë revolucion, sado transformues që të jetë, nuk e shteron etjen për liri dhe se çdo revolucion krijon fitimtarë dhe prodhon të pakënaqur të rinj.

 

 


Video