Në kërkim të atyre që “janë pas”!

13 Qershor 2026, 14:37Pikëpamje SHKRUAR NGA ZYLYFTAR BREGU
FOTO nga protesta

Incidenti i Zvërnecit ku disa civilë me mandatin e “të madhit” nga Tirana që duke sfiduar policinë lokale rrezikuan jetën e një banori të fshatit që shënoi edhe pikën që derdhi gotën e pakënaqësisë popullore tashmë është vetëm simbol i protestës së vazhdueshme kombëtare.

Prej afro dy javësh një turmë qëndrestare që rritet, një bashkësi entuziaste dhe qytetare artikulon me qetësi dhe këmbëngulje kërkesa të qarta politike.

Por, që nga dita e parë një pjesë e madhe e atyre që konsiderohen liderët tradicionale të opinionit publik, të gjendur në befasi përveç mosbesimit për fuqinë e protestës, përçmimit për këtë lëvizje kanë kërkuar “ata që qëndrojnë pas”.

Për legjitimitetin e këtij argument kanë përdorur edhe teoritë konspiracioniste të kryeministrit, i cili është përpjekur që të gjejë “karburantin e protestës” me të njëjtën origjinë si ajo e naftës që vjen në Shqipëri.

Pse nuk bëjnë parti e të futen në garë? Kush fshihet pas protestës? Protesta nuk do të ketë sukses për aq koha sa nuk ka një lidership! Pse nuk dalin organizatorët?, këto e shumë të tjera duan të demoralizojnë bashkësinë e qytetarëve që qëndrojnë me orë të tëra jo vetëm në bulevard, por edhe nëpër arteriet kryesore te kryeqytetit.

Por, përse e duan “lidershipin” e protestës?

Së pari e duan për të përçarë protestës. Çfarë dolloj teknologjie e argument të përdorin protestuesit për të zgjedhur një përfaqësi gjithëpërfshirëse është e vështirë të mos prodhosh pakënaqësi. Ca me tëpër që ende nuk është e qartë përbërja e turmës qytetarë që bashkon energjin kundër establishmentit politik të këtyre 35 viteve. Në këtë logjikë, sapo të dalë lidershipi qytetarët që mund të ndihen të pakënaqur mund të bjerrin radhët e protestës.

Së dyti për ta asgjësuar. Kushdo që të vendoset në lidershipin e protestës do të linçohet nga ata që duan të asgjësojnë nervin e kësaj proteste. Kjo është parë qartë nga disa lista “fake” që kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale dhe menjëherë ka nisur linçimi i tyre.

Së treti e duan për ta manipuluar. Sigurisht që një grup përfaqësimi të protestës pushteti politik, ekonomik dhe ai kriminal e ka më të lehtë për ta manipuluar. Në këtë mënyrë protesta sërish do të përçahet.

Së katërti, parti (bazuar në etimologjinë e fjalës) do të thotë pjesë, pra e pjesshme. Tubuesit, shumica të rinj janë kundër establishmentit dhe vijnë nga thuajse të gjitha partitë aktuale. Konvertimi i protestës në një parti politike do t’i nënshtrohej një “kursi këmbimi” më të ulët se ky i euros. Edhe ky veprim do të çonte në rrudhjen e protestës.

Atëherë cila është zgjidhja?

Masiviteti, rezistenca dhe qartësia e kërkesave duhet ta detyrojë klasën politike në Tiranë të fusë këtë protestë në axhendën e përditshmërisë së saj. Për ta trajtuar, diskutuar dhe zgjidhur në funksion të kohezionit dhe të mirë të shqipërisë.

Lidershipi i protestës mund të evidentohet pasi të nisë plotësimi i kërkesave të qytetarëve.


Video