Pse mikrofinancat marrin mё shumё risk pёrsipёr dhe si reflektohet kjo nё çmim? Analizë nga Aurora Sulce

14 Qershor 2024, 17:11Pikëpamje SHKRUAR NGA AURORA SULCE

Nga Aurora Sulce, gazetare

Në diskutimet e përditshme lidhur me sigurimin e një kredie, norma e interesit është pika më e ndjeshme. Sa do të paguajmë në fund të muajit është ajo që i intereson më shumë pjesës dërrmuese të atyre që janë në kërkim të një financimi për qëllime të ndryshme, individuale apo për biznes. Dhe diskutimet bëhen më të “zjarrta” kur diskutohet në dallimet e interesave mes sistemit bankar dhe mikrofinancës. Kujtoj që po me kaq “zjarr” diskutohej për interesat edhe në vitet 2000, kur kritikoheshin bankat se interesat e kredive ishin shumë të larta.

Duke besuar fort se çdokush duhet të informohet mirë përpara se të marrë një kredi, mundësisht të kryejë edhe një konsultë me njerëz të specializuar, si dhe për t’iu dhënë përgjigje atyre që më shkruajnë shpesh lidhur me çështjen e interesave, dua të ndaj disa informacione se përse mikrofinanca mban interesa më të larta dhe më pas, gjykoni vetë dhe merrini kreditë ku mendoni se është më mirë për ju. 

Institucionet mikrofinanciare erdhën në jetë si model biznesi kryesisht për shkak të nevojave të popullatës rurale dhe nivelit të varfërisë që i karakterizonte ato. Ky model biznesi fillimisht u dizenjua si një fond i përbashkët i anëtarëve të një komuniteti, e cila ndihmonte anëtarë të caktuar të tij kur ishin në nevojë apo donin të fillonin ndonjë veprimtari modeste biznesi. Pavarësisht kontributit të vazhdueshëm të anëtarëve të komunitetit, nevojat e tij shkoni përtej kursimeve, ndaj në vende të ndryshme filluan të krijoheshin fondacione apo organizata jo-fitimprurëse të cilat ndihmonin familje apo biznese në nevojë për të dalë nga varfëria. Një model i tillë ekziston edhe sot në disa vende si psh Indi, Bangladesh, etj.

Nëse i referohemi mikrofinancës tradicionale, ajo gjithmonë ka targetuar shtresat më të brishta të popullatës dhe ka synuar të krijojë mundësi që edhe këto shtresa të ndërmarrin inisiativa personale apo familjare private, me qëllim gjenerimin e të ardhurave dhe punësimin. Por duke pasur një nivel shumë të ulët të të ardhurave, por edhe të edukimit financiar, mundësitë e këtyre shtresave për të shërbyer kredinë shpesh mbeteshin të ulëta. Gjithashtu, në shumicën e rasteve ata nuk kanë çfarë të ofrojnë si garanci në formën e pasurive të tundshme dhe të patundshme, ndaj shpesh kreditë ofrohen pa garanci dhe pa dorëzani.Pavarësisht kësaj, modeli i mikrofinancës është i ndërtuar që të mbështesë këto shtresa të popullatës, që nuk kanë qasje në produktet dhe shërbimet bankare për shkak të statusit të tyre financiar. Ky risk shtesë krahasimisht me sektorin bankar i marrë përsipër nga mikrofinanca, reflektohet në cmimet e produkteve që ata i ofrojnë publikut. Megjithatë duhet theksuar që mikrofinanca ofron kredi me vlerë krahasimisht të ulët me sektorin bankar (kredia mesatare varion nga 350 mijë lek në 500 mijë lek për disa institucione), dhe kësisoj interesi i gjeneruar, pavarësisht me një normë më të lartë, vlerën absolute e ka relativisht të ulët. Këstet e vogla mujore janë të përballueshme nga një pjesë e mirë e klientëve të kredituar, dhe cilësia e ripagimeve në mikrofinancë është e ngjashme me atë të sektorit bankar.

Veprimtaria e mikrofinancës në Shqipëri ushtrohet prej më se 3 dekadash tashmë, dhe ka reflektuar një qëndrueshmëri dhe progres të vazhdueshëm. Struktura e kostove të kredisë mikrofinanciare ndryshon në mënyrë të konsiderueshme midis llojeve të ndryshme të institucioneve financiare. Për bankat, kostot operacionale zënë 12%, kostot e fondeve 2%, dhe kostot e rrezikut  2.5%. Organizatat tradicionale mikrofinanciare përballen me shpenzime më të larta, ku kostot operative arrijnë në 18%, kostot e fondeve në 6%, dhe kostot e rrezikut në 7%. Në kontrast të plotë, subjektet e kredisë konsumatore përballen me kosto shumë më të larta, ku kostot operacionale rriten në 57%, kostot e financimit arrijnë në 15% dhe kostot e rrezikut rriten në 19%. Këto shifra nxjerrin në pah peizazhet e veçanta financiare dhe sfidat me të cilat përballet çdo lloj huadhënësi në sektorin e mikrofinancës.

Nga ana tjetër, ato mundësojnë financime me qëllime të ndryshme në ndihmë të nevojave të individëve, si edukimi i fëmijëve, shpenzime mjekësore, zhvillim profesional, rregullime shtëpie, shpenzime të tjera familjare dhe nevoja për lëvizshmëri. Arsyet e përdorimit të këtij produkti edhe në rajon janë të njëjta.

Gjithsesi, e ritheksoj: çdokush i interesuar duhet të informohet mirë për atë që nënshkruan, të marrë mundësisht një mendim tjetër nga ekspertë të fushës dhe pastaj të vendosë, që të jetë I qartë për kushtet e kontratës dhe atë që ka të drejtë dhe përgjegjësi.

Në ekonomi ka një shprehje: “Risk i lartë, fitim i lartë” dhe kjo vlen për të gjithë: individë apo biznese.

Video