Protesta e ka tejkaluar me kohë Zvërnecin

4 Qershor 2026, 17:59Pikëpamje SHKRUAR NGA BLEDI LUMANI

Protesta e thirrur në Tiranë për atë që ndodhi në Zvërnec, tashmë e ka tejkaluar këtë çështje.

Thirrja kryesore e protestuesve tani është “Rama në burg, Berisha në burg”.

Si Rama, ashtu dhe Berisha, e kuptojnë shumë mirë këtë gjë.

Ndaj dhe duan të fokusohen dhe të ngelen veç aty, tek Zvërneci dhe Sazani.

I pari kërkon që ta kanalizojë me çdo kusht aty protestën, jo tek pakënaqësia masive ndaj qeverisjes së tij.

Dhe poston që pa gdhirë video nga Zvërneci i “mbytur” me plehra, që ky po e shpëton duke sjellë Jared Kushnerin për të ngritur një resort luksoz aty.

Se jo për gjë, po Bruna e Bashkisë së Vlorës e ka larg Zvërnecin, që të çojë punonjësit ta pastrojnë e të kujdesen për të.

Pastaj flet për “luftë hibride” apo për nxitje të protestës nga “konkurrentët” (e ka fjalën për grekeët).

I dyti po ashtu, fokusohet veç tek Sazani e Zvërneci, duke shpikur teorinë, se kjo protestë është kundër investimit amerikan.

As i shkon ndërmend të thotë, se në fakt protestuesit kanë dalë në shesh kundër keqqeverisjes.

Le më pastaj, të thotë që janë edhe kundër keqopozitbërjes.

E vërteta është, se protesta kërkon “kokën” e atyre të dyve, dhe mbi të gjitha, për sistemin që kanë ngritur.

Kjo nuk fshihet dot më dhe po bëhet e qartë ditë pas dite.

E drejtë apo jo, si Rama, ashtu edhe Berisha, duhet të përballen me këtë realitet të ri.

Një realitet, që deri pak ditë më parë, as mund të mendohej prej tyre.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video