Politikanët e krimbur në korrupsion dhe mjeku i arrestuar për 200 Euro

26 Shtator 2022, 10:03Pikëpamje SHKRUAR NGA ROLAND QAFOKU

Mjeku Fitim Marku, kolegu i tij dhe një infermiere e Spitalit të Traumës në Tiranë, të cilët u merrnin pacientëve nga 200 Euro në këmbim të kryerjes së skanerit, nuk janë nder për mjekësinë shqiptare. Por më shumë se sa kjo, më e pandershme dhe më e turpshme është se politikanët e korruptuar në Shqipëri nuk po i gjen gjë prej gjeje.

SPAK është përmbytur nga dosjet. Në prokuroritë e rretheve dosjet janë ding me denoncime, me fakte dhe me të dhëna, ndërkohë që perceptimi i korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri po ulet në nivelet përpara nisjes së reformës në drejtësi.

\Pavarësisht kësaj panorame, të premten mësuam nga policia se ka zbuluar një skemë korrupsioni në atë që ende ne e quajmë Spitali Ushtarak. Sigurisht këtu nuk ka vend të diskutojmë për të toleruar ata mjekë që vjedhin pacientët duke u marrë para nën dorë për një punë për të cilën shteti u jep rrogën. Por, drejtësia që pret shoqëria të vihet në këtë vend nuk është as kjo “goditje” me vlerën e 200 Eurove të një skaneri, e as ajo me një arkë peshk që iu kap një zëvendësministreje në korrik të vitit të kaluar.

Për një çast le të imagjinojmë që në vend të atij mjekut reanimator me uniformë jeshile të sapo dalë nga salla e skanimit dhe që iu vunë prangat nga dy policë me kapuçë të zinj në kokë të ishte një politikan, deputet, ministër apo drejtor i korruptuar. Të imagjinojmë se i infiltruari i policisë ta kishte kapur me presh në dorë këtë politikan apo drejtor me një thes me miliarda lekë që po e merrte në zyrën e shtetit apo në një ambient tjetër kudoqoftë pas realizimit të një tenderi.

Le të imagjinojmë se një politikan apo drejtor kokorrosh dhe i krimbur me para korrupsioni të dilte nga zyra e tij me pranga në duar dhe të futej në makinën e policisë i filmuar nga kamerat “e rastësishme” ose jo dhe i gjithë ky spektakël të transmetohej nga të gjitha stacionet televizive, ndërsa kjo video në youtube do arrinte rekorde shikueshmërie. Le të imagjinojmë për një moment se ky politikan, ministër apo drejtor i korruptuar, deri në momentin e arrestimit njihej si njeri me peshë, me pushtet, që kishte marrë edhe vota, që tundej e shkundej nëpër studio si i përkëdhelur nga gazetarët.

Që krekosej për idetë dhe konceptet e tij për demokracinë, për përpjekjet e qeverisë për anëtërësimin në BE, për luftën ndaj korrupsionit dhe me betejat e tij politike të ishte aq i sigurtë në ato që bënte dhe kishte bindjen se nuk i druhej askujt, as ligjit madje. Le të imagjinojmë se pikërisht ky kokorrosh i korruptuar dhe i sigurtë të zbulohej nga një aksion spektakolar i policisë se kishte marrë një thes me para. Ky po që do ishte arrestim. Ky po që do na bënte të mendonim se drejtësia e re ka nisur realisht punën.

Ky po që do ishte triumf i ligjit ndaj këtyre bastardëve që vjedhin hapur dhe nuk çajnë fare kokë nga drejtësia e re se ia kanë gjetur anën. Çdo panoramë me mjekë dhe infermierë që vihen nën pranga me “metoda bashkëkohore” është thjesht fat i keq kujt i ka rënë lapsi. Korrupsioni dhe abuzimi në këtë vend nuk luftohet kurrë si ky rast. Afërmendsh, nuk e beson askush këtë “operacion spektakolar”. Pas disa ditësh edhe këta lloj peshqish 200 Eurosh do lirohen.

Pas disa ditësh skaneri dhe të korruptuarit rreth tij sërish do tentojnë ti “pikojë” ndonjë gjë dhe paratë nën dorë do vazhdojnë traditën. Pas disa ditësh, ky lloj korrupsioni i vogël do “lëvizë” përsëri nëpër spitale dhe qendra shëndetësore. Po pse për këtë besuam ne të drejtësia e re me juristë të rinj dhe me rroga të reja? Jo dhe jo. Derisa prokurorët, gjykatësit dhe ekzekutorët e urdhrave të tyre, policët, nuk do arrestojnë megahajdutët e djeshëm dhe megahajdutët e sotëm, drejtësia do marrë damkën e dështuar.

Është ironike, por së fundi në Tiranë qarkullon fraza e re ndaj drejtësisë së re: Çdo politikan i korruptuar “ushqen” me paratë e siguruara nga korrupsioni një prokuror apo gjykatës të korruptuar, i cili mund ti nevojitet një ditë.

Video