Dua të di përse u mbyll kopshti ku kisha regjistruar time bijë?!

19 Shtator 2022, 22:42Pikëpamje SHKRUAR NGA EDONA LLUKAçAJ
Kopësht jopublik në Tiranë

Një artikull i ditës së diel, në një nga portalet serioze në vend, informonte heqjen e licensës së një kopështi jopublik në Tiranë. Në shkresën zyrtare bërë publike vendimi justifikohej me “shkelje të rënda” nga ana e institucionit.

Në vendin tonë të tilla raste nuk trondisin fort, prej se eklipsohen nga çudirat multidimensionale të përditshmërisë. Prandaj, lajmi nuk do ma kishte tërhequr vëmendjen nëse nuk do ishte fjala për institucionin arsimor ku, rishtazi, kisha regjistruar time bijë.

Prej eksperiencave të pakëndshme në institucione publike e jopublike në të shkuarën, ku përfshihen klasa të mbingarkuara me dhjetëra fëmijë të moshave të ndryshme të palosur me një mësuese dhe bullizimi se flet anglisht apo e ka shqipen me dialekt verior, kërkoja zgjidhje.

Kështu, me mjaftueshëm sakrifica financiare për dy prindër me të ardhura mesatare, këtë vit shkollor, 5-vjeçarja jonë filloi edukimin në kopshtin “Zubejde Hanim” të institucioneve arsimore “Turgut Ozal”.

Përtej edukimit cilësor me arritje të prekshme nga nxënësit e tyre, ambienteve të përshtatshme për edukim që nuk të duken si kotece, e rëndësisë së pastërtisë në kohë pandemie, zgjedhja kishte të bënte me sigurinë, transparencën dhe vlerat.

Në fund të fundit, në sa dekada këto institucione nuk ishin përfolur apo përfshirë në ndonjë skandal që të bën të konsiderosh edukimin në shtëpi si alternativë të mirëqenë e as nuk përvetësonin metoda e strategji edukimi që, haptazi, bien ndesh me traditën e familjes shqiptare.

Por pak ditë pasi viti akademik ka filluar, lajmi se licenca e këtij kopështi është hequr me urdhër të Ministrit të Arsimit është tej mase shqetësues. Lë vend për dyshime dhe hamendësime gjithfarësoj.

Si nënë, nuk më bëhet e qartë se cilat janë “shkeljet e rënda”, të evidentuara pasi shkolla ka filluar, por që nuk u konstatuan gjatë verës a më parë, kur “Zubejde Hanim” pranonte pa u trazuar nxënës, përfshirë time bijë.

Si qytetare e këtij vendi që rrit një qytetare të këtij vendi, dua të di nëse heqja e licensës së kopshtit në fjalë është një tjetër manovër e llojit “të kam në dorë e bëj çfarë dua”?

Si dikush që reziston për të mos zgjedhur rrugët e botës, vetëm se nuk ia del më t’i bëjë ballë llumit shtresor që po i merr frymën Shqipërisë, dua të di se si shkollat që nuk mund të konsiderohen edhe aq ekonomike për xhepin shqiptar qenkan të financuara nga gylenistët.

Dua të di nëse gylenistët janë apo perceptohen si “terroristë” nga lidershipin jonë, njësoj si nga ai i shtetit që kemi shpallur mik e aleat. E në këtë rast, përse atyre iu lejohet të vazhdojnë të administrojnë institucione arsimore në këtë vend dhe, sipas kësaj qasjeje, të indoktrinojnë breza të tërë të rinjsh shqiptarë. Pse nuk denoncohet dhe ndërpritet veprimtaria e tyre, gjithnjë nëse kanë një veprimtari kësisoj?

Apo “terrorizmi” i gylenistëve ka kuptim veç në një kontekst të huaj, si ai i MAK-ut të Manzës në Iranin e fetvave vrastare, të cilëve me dinjitetet e jo pa kosto, po i ofrojmë mbështetje.

Unë dua të di nëse vajza ime dhe shokët e saj janë viktimat e pafaj të radhës së politikave, “mirë me serbët, mirë me turqit, më mirë krejt me amerikanët, por po u desh e kthejmë prap nga rusët, paçka se çfarë i gjen shqiptarët”.

Unë thjesht dua të di nëse instrumentalizimi i ndonjë vizionari dritëshkurtër që nuk kupton se ndonjëherë vendimet janë vetjake dhe vendore, do vazhdojë të paguhet nga fëmijët tanë.

Video