Sa e vështirë të jesh prind në Shqipëri?!

12 Shtator 2022, 09:25Pikëpamje SHKRUAR NGA DR. ENDRIT SHABANI

Vanesën e takova këtë fundjavë tek tregu duke blerë gjëra për dy fëmijët që do i rikthehen nesër në shkollë.
Vanesa punon në bankë, dhe i shoqi është ekonomist në një kompani private.

Kanë rroga mbi mesataren në Shqipëri, por mesa duket këtë vjeshtë nuk dalin më llogaritë.

Nuk e ke idenë se ç’bëhet - më tha - Janë rritur të gjitha çmimet me 40 - 50%. Rrobat e fëmijëve, çanta e shkollës, fletoret, librat, çdo gjë. Rrogat ndërkohë janë po ato.

Po më tregonte se çdo ditë bëhet më e vështirë për të mbajtur standardin e jetesës që kanë patur deri tani. Çmimet e ushqimeve bazë si mishi, bulmeti dhe perimet gati janë dyfishuar.

Po na fusin duart në xhep nga të gjitha anët - më tha me një sens irritimi dhe dorëzimi në të njëjtën kohë
Vanesa po fliste dhe unë po kujtoja që një pjesë e rritjes së çmimeve ka qënë TVSH, që i ka dhënë qeverisë 400 milion euro shtesë deri tani.

U ankua për çmimin e naftës që është bërë i papërballueshëm. Dhe në fakt, përveç pronarëve të jahteve (që paguajnë 65 lekë/litri) për të tjerët çmimi është bërë i papërballueshëm.

Vanesa dhe i shoqi kishin një makinë, me të cilën shkojnë në punë, çojnë fëmijët në shkollë dhe në kurse (djalin e kishin në një ekip futbolli, ndërsa vajza në kurs baleti).

Pse nuk lëviz me autobus? - i thashë.

Ku jeton ti? - mu kthye - Mirë kushtet skandaloze, që të ngjeshin si sardele, dhe të plasin vape në verë, por nuk të bie as më lirë po ta llogarisësh tamam.

Si çdo prind shqiptar, Vanesa dhe i shoqi investojnë shumë tek fëmijët. I kishin çuar në shkollë private, se kishin patur eksperiencë të keqe nga shkolla publike. Nga njëra anë ishte drejtoresha, një militante partie që kishte krijuar një klimë toksike; Nga ana tjetër fëmija dridhej muajve të dimrit, se nuk kishte ngrohje, ndërsa nevojat biologjike i mbante derisa të vinte nga shkolla, se tek banjot e shkollës bënte festë tifoja.

Tarifa e shkollës ishte rritur goxha nga viti në vit, dhe duke qënë të dy në punë deri vonë, i duhet që të paguante ushqimin për fëmijët, madje edhe dikë që t’i ndihmonte me mësimet derisa të dilnin nga puna.
Ktheji sërish në shkollë publike - i thash, kur mu ankua për situatën.

Do më dukej sikur dështuam, nëse do i ktheja prapë aty - më tha, me një farë dëshpërimi të mirëmenaxhuar.
Ndërkohë që familja e Vanesës paguante koston e korrupsionit dhe keqadministrimit të fondeve publike, ajo është krejt e vetme në këtë krizë. Nuk e pyeta a kishte marrë ndonjë ndihmë nga shteti, sepse e dija përgjigjen.

or nuk mund të hiqja nga mendja që Rama i dha 50 milion euro disa ndërtuesve dhe koncesionarëve të rrugëve, në vend që të ndihmonte prindër si Vanesa.

Po bëhet e pamundur për të ruajtur standardin e jetës që kishim - ma tha për të dytën herë, a thua se priste që ta bindja për të kundërtën.

Si për ta ngushëlluar i thashë që të mendojë se sa shumë do gëzohen fëmijët kur të shkojnë nesër në shkollë, dhe ika duke menduar që kur kjo ndodh me familjen e Vanesës, që merr dy rroga mbi mesataren, imagjino se sa e vështirë është bërë jetesa në Shqipëri për fëmijët me një prind, të papunët, pensionistët, studentët, personat me aftësi të kufizuara.

Ika duke menduar për qindra mijëra prindër do të dërgojnë nesër fëmijët e tyre në shkollë.

Sa prej tyre kanë marrë borxh për të blerë rrobat dhe librat e fëmijëve? Sa prej tyre iu është dashur të kapërdijnë dëshpërimin dhe t’i dërgojnë nesër pa mundur tua plotësojnë nevojat bazë? Sa prej fëmijëve kanë punuar, shitur apo lypur gjatë verës për të mbledhur paratë që i duhen për në shkollë? Sa fëmijë do të shkojnë nesër me barkun bosh, në një vend që sot renditet si më të varfrit në Evropë?

Ika duke menduar se Shqipëria ka mjaftueshëm pasuri natyrore për të ushqyer të gjithë fëmijët e kësaj shoqërie, por që nuk mundet do të mbushë barkun e pangopur të banorëve të një lagjeje në majë të kodrës.

Video