Sa i bukur është muaji gusht në Labëri.
Kur hyj në vendlindjen time në Gjorm të Labërise lexoj "Takim brezash" dhe me qesh buza dhe shpirti. Dhe fill mendoj sa vlere të madhe ka një ditë e tillë, e kthyer ne ditë festë ku te ikur nëpër botë ose jo ne kthehemi në shtëpi.
Dhe na pret historia jonë, e vërteta jonë. Në çdo fshat të Labërisë kthimi në shtëpi ne gusht është një festë që miksohet me traditën, e cila bëhet e dukshme ne verë. Folklori në këto ane reziston me kontributin veçanërisht të shoqatave vendore dhe anëtarëve të saj që kryesisht jane emigrantë ose dashamirës të rrënjëve dhe që me sakrificë mbajnë në këmbë grupet e këngës popullore.
Duhet thënë se pushteti lokal bën fare pak për grupet popullore të çdo fshati, që janë formuar dhe konsoliduar nga pasioni dhe dëshira e ruajtjes së trashëgimisë së isopolifonise labe
Dhe në një dite si kjo përmes kengeve me te hedhur e me te pritur, me iso e kostume labe që ndryshojne nga fshati ne fshat kupton se sa shume i përket vendlindjes. Shto këtu ate prezantimin tipik , jam bija e filanit , dhe nisin e të pyesin po mbesë ku, po stër stërmbesë e kujt.
Folkloristikë tipike labe , e të pyeturit dhe ruajtjes se trashëgimisë. Aty nis dhe historia merr trajte tjetër, trajtën e njerëzve para nesh, bij e bija kalimtarë të jashtëzakonshëm të kësaj zone, jeta e të cilëve përcillet gojarisht fshat pas fshati. Si nje amanet për te mos harruar, për të kujtuar kujt i përkasim
Dhe ti kupton se jeta është plot me damarë trashëgimie, kur teksa mbërrin në fshatin Velcë te thonë se ja këtu një tezja e nënës tënde veproi kështu e ashtu në vitin x gjatë komunizmit. Dhe e bëri këtë sakrificë- vazhdon bashkëbiseduesi duke më treguar- që të shpëtonte bashkëshortin që partia po e kërkonte.
Ne festën e Vajzës gjej një tjetër copë nga vetja, serisht nga gjyshërit.
Në Lepenicë më thotë dajua mos harro se nëna jote është mbesë e Ahmet Lepenicës.
Këtu në Shpellën e shkruar me shpjegon im atë, babai im e gjyshi yt që nuk ti nuk e ke njohur ishte i fundit që u bind bashkë me Maton, e dorëzoi i fundit tokën ne kooperativë. E internuan bashkë me Mato Isain - thote babai, sepse kundërshtoi të dorëzojë tokën, mbetëm vetëm derisa e kthyen prapë!
Aty vranë Nekiun, ..kurse këtu i thonë Ura e Zonjës sepse para aq e kaq kohësh..
Dhe kur dëgjoj çdo vit copëza jete për të gjithë që kanë jetuar para meje, nga nëna e nga babai, e për këdo tjetër qe veproi kështu dhe e zgjidhi ashtu "x" situatë - o Zot them o Zot, sa jetë e vështirë por sa shume dinjitet e madhështi ka Labëria dhe Gjormi.
Edhe pse të boshatisur, me të moshuar që mbajnë fort shume fort historinë duke shpresuar se përmes një dollie, polifonisë dhe rrëfimeve që nisin kaq njerëzisht dhe kaq labërisht, vetëm e vetëm që biri dhe bija e kësaj zone të mos harrojë ku është shtëpia!