Ditën e sotme është zyrtarizuar koalicioni mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, i quajtur “Shtëpia e Lirisë”.
Në fakt ky koalicion është i vjetër. Rrënjët datojnë që te qëllimi i përbashkët për të luftuar Reformën në Drejtësi.
Dy dinozaurët e politikës shqiptare janë akuzuar aq shumë në këto 30 vite dhe kanë bërë çdo përpjekje që drejtësia të katandisej në sektorin më të korruptuar të shoqërisë shqiptare.
Kur ndërkombëtarët vendosën ta shkulnin me themel këtë të keqe, dyshja e ish-kryeministrave aktivizuan të gjithë artilerinë e rëndë për ta luftuar reformën, dhe sidomos duke sulmuar edhe me goditje nën brez ambasadorët që ishin promotorë të saj.
Pasi nuk ia dolën plotësisht t’i vinin shkopinj nën rrota nën rrogoz, ditën e sotme ata vendosën të dalin zyrtarisht si koalicion për të qenë të bashkuar kundër linjës amerikane.
Pas këtij bashkëpunimi, nuk përjashtohet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të fusin në listën e personave non grata edhe Presidentin në detyrë Ilir Meta, sikur bëri me Sali Berishën.
Por ky bashkëpunim i tyre është vetëm gjysma e së vërtetës.
Nga ana tjetër Edi Rama dhe Lulzim Basha tashmë duhet të gjejnë kurajën që aleancën e tyre të viteve të fundit ta formalizojnë në një koalicion zyrtar. Që Basha të bëhej pjesë e qeverisë dhe të shpëtonte lëkurën për të mos e hequr nga kryetar të PD-së.
E gjithë kjo është një mizaskenë që nuk i bën mirë vendit pasi opozita është totalisht jashtë loje, por përsa kohë janë në aleancë të fshehtë pse të mos dalin dhe këta hapur?
Kjo do të ndihmonte që gjithë ta kuptonin se këta bëjnë sikur, por janë gjithmonë bashkë për interesa të tyre, dhe me shpresën se një forcë tjetër opozitare do të dilte në skenë për të ndryshuar këtë sistem të kalbur.