Ejvallah Sulltan Erdogan!

27 January 2022, 21:27Pikëpamje SHKRUAR NGA VIKTOR MALAJ

            "Mirënjohja, jo vetëm është virtyti më i madh por edhe prindi i të gjitha virtyteve të tjera"./Ciceroni 

 

Vizita e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Shqipëri para pak ditëve dhe inaugurimi në Laç i një kompleksi banimi prej 522 apartamentesh, të financuara nga shteti turk, ngjalli disa debate të panevojshme në median dhe politikën tonë. Në vend të një falënderimi ndaj financuesve të banesave të reja për familjet e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019, jo pak prej nesh filluan interpretimet dhe, madje, mallkimet, pse ky veprim "po na kthente pas tek pushtuesi ynë 450 vjeçar". 

Pretekstet e qëndrimeve të tilla ishin dy: Pse duhet të presim me ceremoni të tilla përfaqsuesin e një vendi që na ka mbajtur të pushtuar katër shekuj e gjysëm dhe, pse qeveria shqiptare po mësyn nga Lindja kur duhet të shkojë drejt Perëndimit?! Muhabet i vjetër, qysh para se të fitonim pavarësinë. 

Në pamje të parë, këto hilera prestigjatorësh politiko-mediatikë ngjajnë bindëse dhe joshëse për cilindo kokëbosh apo kokënxehtë që i dëgjon. E vërteta është shumë më ndryshe. Shteti i sotëm turk është pasardhësi historik i Perandorisë Osmane, por ka fare pak gjëra të përbashkëta me strukturën, parimet dhe format e funksionimit të të parës. I sotmi është një shtet laik (qysh në 1923), me sistem politik pluralist, anëtar i thuajse të gjithë organizmave dhe organizatave politike ndërkombëtare, duke përfshirë edhe NATO-n. 

Bindjet e mija më shtyjnë gjithnjë drejt një ndjenje mosrespekti dhe, madje, neverie kundrejt perandorive, të vjetra apo të reja qofshin. Historia e tyre, pavarësisht glorifikimeve të panumërta që iu bëhen ende sot nga politikanë, ideologë, historianë, shkrimtarë apo kineastë, është histori e dhunës, shtypjes, krimit të grabitjes e vrasjes, madje edhe zhdukjes së popullsive vendase dhe të huaja. E tillë ka qenë edhe Perandoria Osmane, por neveria ndaj saj na shtohet më tepër kur kemi parasysh faktin e pushtimit të trojeve të banuara nga shqiptarët në shekullin e 15-të dhe mbajtjen nën një sundim regresiv deri në vitin 1912. 

Mbas vitit 1990, në Shqipëri një numër mjerisht jo i vogël individësh të dijes filluan të keqinterpretojnë krejt historinë dhe veçanërisht historinë e pushtimeve të vendit tonë nga fuqi të huaja, duke i shpallur ata jopushtues por "administratorë, kalimtarë, civilizues, bashkëqeverisës" etj.etj.. Lidhur me Turqinë, e vërteta është se Perandoria Osmane ka qenë një fuqi pushtuese dhe si e tillë vrasëse, grabitëse, dhunuese dhe një nga shkaqet kryesore të prapambetjes tonë shekullore. Pushtimi osman, ashtu si për jo pak popuj të tjerë, ka qenë shkaku kryesor i ndarjes dhe mosunifikimit të popullit shqiptar në një territor dhe shtet të përbashkët. 

Mirëpo, në këtë botë ka dhe një duzinë popujsh apo vendesh të tjera që na kanë pushtuar, vrarë e grabitur, ndonëse për periudha më të shkurtëra kohe dhe me shumicën e tyre sot mbajmë marrëdhënie krejt normale diplomatike, politike dhe ekonomike. Brezat e sotëm të popullit turk dhe qeveritë e tyre nuk mund të mbahen përgjegjëse për çfarë iu kanë bërë popujve të tjerë stërgjyshërit e tyre. Marrëdhëniet me këtë popull dhe me qeveritë e tij duhen ndërtuar mbi bazën e të Drejtës së sotme Ndërkombëtare dhe bazuar në qëndrimet e tyre aktuale kundrejt nesh. Ndarja e popujve dhe shteteve apriori në "të mirë" dhe "të këqinj" dhe mosrespektimi i njërit për hatër të tjetrit janë veprime mendjelehta dhe të dëmshme për të sotmen dhe të ardhmen tonë. 

Disa njerëz pohojnë se, me veprime të tilla ndihmuese, Turqia po përpiqet të shtrijë dhe forcojë ndikimin e saj në Ballkan. Kjo nuk ka kurrfarë dyshimi. Bota sot "ndahet" në shtete që përpiqen të mbijetojnë, në shtete që duan të jetojnë mirë e të vetëzhvillohen dhe në shtete që jetojnë shumë mirë, por kërkojnë të jetojnë akoma më mirë, qoftë edhe nëpërmjet sundimit të pjesës tjetër të botës. Në këto shtete që kërkojnë të sigurojnë qënien superfuqi (të paktën) rajonale është edhe Turqia. Edhe veprimet e saj diplomatike, politike por edhe bamirëse (si rasti ynë në fjalë) përmbajnë edhe një synim të tillë. Po pse, SHBA-ja, Rusia, Kina, Anglia, Franca etj. nuk i kanë këto qëllime dhe objektiva?! A thua, gjithë angazhimet e tyre diplomatike, ekonomike, politike, ushtarake dhe "bamirëse" janë thjesht për arsye humanitare?! Kurrësesi jo! 

Ne nuk kemi kurrfarë mundësishë t'i pengojmë ato në ambiciet e tyre, por zotësia jonë dhe e qeverive tona është të ndërtojmë me to marrëdhënie dinjitoze të ndërsjellta dhe të mos lejojmë cënimin e interesave tona kombëtare si rezultat i "lojërave të shahut politik" të tyre. Akordimi nga shteti turk i një ndihme të tillë si ndërtimi i 522  apartamenteve në Laç dhe i një spitali në Myzeqe nuk i sjellin asnjë të keqe popullit dhe vendit tonë. A ndikojnë ato shpirtërisht dhe moralisht tek një pjesë e popullit tonë? Padyshim që po, por kjo nuk rrezikon cenimin e integritetit territorial apo sovranitetit kombëtar të vendit tonë. 

Disa gardianë të rremë të moralit dhe bartës të paqenë të parimeve politike na predikojnë se, duke vepruar kështu, ne po largohemi nga "parimet demokratike" të Perëndimit dhe po biem nën ndikimin e Lindjes. Cilat parime të organizimit politik perëndimor na kanë kërkuar vende si Turqia që t'i braktisim për hatrin e tyre dhe tani po na joshin nëpërmjet ndihmave që ta bëjmë këtë vullnetarisht? A janë vërtetë vendet perëndimore kaq parimore sa na propagandohet prej tridhjetë vjetësh? Dhe, çfarë është më e rëndësishme, a jemi ne kaq parimorë dhe atdhedashës saqë të refuzojmë apo mos vlerësojmë ndihmat konkrete që dikush, nga Lindja apo Perëndimi, na jep në raste fatkeqësishë? 

A jemi ne ata që, tash tridhjetë vjet, s'kemi lënë gjë pa i bërë vendit tonë dhe s'kemi lënë parim demokratik pa shkelur për hir të interesave tona vetjake politike dhe ekonomike? A thua vallë Turqia na ka detyruar të manipulojmë e dhunojmë procese zgjedhore; të rrahim, burgosim e vrasim gazetarë e kundërshtarë politikë; të sulmojmë, djegim e shkatërrojmë institucionet shtetërore dhe të zaptojmë pronat e njëri-tjetrit dhe të vjedhim paratë e buxhetit të shtetit? 

Kush na pengon ne të falemi në "kishat" e Perëndimit dhe të psonisim në tregun e gjithë botës? A nuk jemi ne ata që i puthëm edhe makinën Xhejms Bejkërit në qershor 1991 kur, nën rimën e vargjeve "ne jemi me ju, ju jeni me ne" dhe thirrjen tonë të turpshme: “hudhe, hudhe qesen!”,deklaroi se na dhuronte gjashtë milion dollarë ndihmë (dy dollarë për frymë)?! 

Ne, vërtetë duhet t'i ndjekim "liturgjitë politike" të Perëndimit për "pasurim shpirtëror" por, si t'ia bëjmë mirëqënies tonë materiale dhe mbijetesës ekonomike pa të cilat "feja" e tyre mbetet pa besimtarë? Është e vërtetë se vendet perëndimore kanë akorduar edhe ndihma financiare gjatë këtyre tri dekadave, por është po kaq e vërtetë se shumica e tyre ose janë kthyer mbrapa në formë pagash në xhepat e "instruktorëve" të tyre që na kanë mësuar si të "përdorim plehun kimik apo si të zëmë djathin", ose kanë përfunduar nëpër xhepat e gjithfarë hajnash shqiptarë të punësuar në politikë apo fondacione të panumërt që na mësojnë "parimet dhe zhvillimin demokratik". Ata që janë pa punë, pa shtëpi dhe pa siguri jetese nuk kanë kohë të lexojnë manualet politike të Perëndimit dhe as të presin zbatimin e tyre konkret në jetë. Janë fare të pakta objektet jetike ekonomike, arësimore, shëndetësore apo infrastrukturore të ndërtuara këtu nga vendet perëndimore në këto tridhjetë vjet. Parimi i artikuluar nga ish-Sekretari i Shtetit i SHBA-së, z. Bejkër se "Ne nuk i japim kujt peshk, por i mësojmë të tjerët të gjuajnë peshk" mund të tingëllojë joshës dhe fisnik por a mund të presin brezat e shqiptarëve mësimin e "gjuetisë së peshkut" aq gjatë sa iu është dashur perëndimorëve ta mësojnë e zbatojnë? Dhe, në fund të fundit, a mund të mësohet "gjuetia e peshkut" vetëm me leksione teorike pa pasur bazën e nevojshme materiale të zbatimit konkret? 

"Dashuria" e pakufishme që shpallin gjithfarë hipokritësh politikë dhe mashtruesish mediatikë kundrejt vendeve perëndimore dhe parimeve të organizimit të tyre politik është thjesht e rreme dhe e paskrupullt. Dashnorët e vërtetë i përqafojnë të dashurat (parimet) e tyre pa imponime dhe iu shërbejnë atyre, ndërsa dashnorët e rremë përbetohen për dashuri (dhe parime) dhe në jetë i tradhëtojnë ato sa herë iu jepet rasti apo ua kërkojnë ineteresat e veta. Këta tre dhjetëvjeçarë kanë qenë të mjaftueshëm për të na bindur se shumica e "elitës" politike dhe e skotës mediatike shqiptare e kanë paraqitur servilizmin e tyre kundrejt të mëdhenjve dhe të fortëve të Perëndimit si dashuri dhe përkushtim për demokracinë dhe progresin. Në anën tjetër, në sjelljen e përditëshme kanë dëshmuar se për hir të marrjes apo mbajtjes së pushtetit apo sigurimit të përfitimeve financiare i kanë shkelur këto parime dhe janë bërë avokatë të paligjshmërisë dhe padrejtësisë. Për servilizëm kanë bërë çmos të tjetërsojnë historinë dhe të krijojnë mite të rremë për shtete e figura politike perëndimore, duke i paraqitur si shpëtimtarë të kombit apo pavarësisë tonë, apo iu kanë ngritur përmendore politikanëve të huaj të cilët Amnesty International i ka paditur penalisht si "kriminelë lufte" dhe në vendin e tyre nuk gëzojnë respektin e as 20 për qind të popullsisë. 

Ka ardhur koha të hiqet dorë nga hipokrizia dhe, nëse nuk hiqet, të diskreditohet kjo lloj sjelljeje publike. Ata që kanë shkatërruar thuajse çdo gjë të ndërtuar nga populli shqiptar gjatë shekullit të 20-të dhe që kanë nëpërkëmbur me vepra parimet e propaganduar me fjalë duhet të heshtin ose të marrin mbi vete neverinë popullore. Një popull që i zapton sivëllaut të vet pronën, tokën, shtëpinë etj., që prishë marrëdhëniet familjare apo fqinjësore për një gardh apo një metër tokë, duhet t'ia vërë gishtin kokës dhe duhet të tregohet mirënjohës ndaj çfarëdo ndihme që i jep dikush. 

Të të dhurojë dikush një lagje banimi me shtëpi të reja dhe një spital dhe ta përgojosh apo denigrosh nuk është as fisnike, as e moralshme dhe as e dobishme. Prandaj, arsyeja e shëndoshë na detyron të themi vetëm: 

Ejvallah Sulltan! 

Faleminderit z. Erdogan! 


Video