Leksioni i fundit i profesor Servet Pëllumbit

6 Maj 2026, 19:10Pikëpamje SHKRUAR NGA ÇAPAJEV GJOKUTAJ
Servet Pëllumbi

Sot, në funeralin e tij, Profesor Servet Pëllumbi mbajti leksionin e fundit. Narrativa e të vdekurit që ligjëron, në pamje ngjan gotike, por në thelb është realist.

Në këtë përcjellje mortore, shoqëria shqiptare pati rast të risjellë në mend një varg vlerash të Profesorit, vlera që nuk bën të shihen vetëm si tipare individuale, por si modele të munguara për klasën politike dhe mbase edhe për shoqërinë në tërësi.

Servet Pëllumbi mbeti besnik ndaj bindjeve të tij marksiste, por pa u mbyllur në dogma. Ai e shihte Marksin si filozof, jo si flamur, duke ruajtur një prirje të vazhdueshme për moderim dhe vështrim kritik.

Ky qëndrim kontraston fort me ata politikanë që në fillim të viteve ’90 u ngrysën komunistë dhe u gdhinë antikomunistë, sikur të mos ishin burra me bosht, por flugerë që kthehen sipas erës së pushtetit. Integriteti i Profesorit  është një leksion i qartë: politika ka nevojë për shtyllë kurrizore, jo për flugerë.

Si drejtues i Partisë Socialiste në periudha të vështira, dhe më pas, si Kryetar Kuvendi, tregoi se maturia dhe kompromisi janë më të vlefshëm se retorika e ashpër e dogmatike. Në një kohë kur polarizimi ekstrem po e gërryen shoqërinë, ky model ekuilibri është një busull që politika shqiptare duhet ta rikthejë.

Profesor Pëllumbi i dha hapësirë demokracisë së brendshme, duke mos e shtypur fjalën e lirë. E kuptonte mirë se debati është oksigjeni i politikës. Ky është një mësim i domosdoshëm për partitë e sotme, ku shpesh mungon kultura e diskutimit të hapur dhe ku vendimet merren në dhoma të mbyllura nga një një grusht njerëzish.

Servet Pëllumbi dinte t’u hapte rrugë brezave të rinj, duke u tërhequr me dinjitet kur erdhi koha, jo si një varg politikanësh aktualë që nuk shkulen nga kolltuqet. Ai mishëronte një mënyrë të qeni në jetën publike, ku respekti, reflektimi dhe maturia ishin themel. Ky kod etik është një standard i lartë që politika shqiptare rrezikon ta humbasë.

Në leksionin e fundit, Profesori na tha edhe një herë se politika nuk është teatër servilizmi, por shërbim publik; nuk është lojë me flamuj, por qëndrim me bindje e bosht; nuk është zhurmë, por reflektim. Na bie të dëgjojmë  me vëmendje leksione të kësaj natyre që ikjen e njerëzve me vlera të mos e përjetojmë si humbje, po si trashëgimi.


Video