Nga Owen Matthews - The Spectator
Ndoshta të gjitha karrierat politike përfundojnë pashmangshmërisht një ditë me dështim. Por shumë pak politikanë kanë pasur karriera me ngjitje kaq meteorike, aq befasuese apo aq heroike sa ajo e presidentit aktual të Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Brenda 5 viteve të fundit, ai u shndërrua nga një komedian televiziv që arriti fitoren më të thellë në zgjedhjet presidenciale në historinë e vendit të tij, në një udhëheqës frymëzues të kohës së luftës, i cili i bëri shumë përshtypje botës me vendosmërinë dhe trimërinë e tij personale.
Por tani që lufta kam hyrë në dimrin e saj të tretë (dhe ndoshta të fundit), historia e jashtëzakonshme e Zelenskyt si lider i Ukrainës, ka mbërritur në kapitullin e saj të fundit. Pas 1.000 ditësh sfida, jo vetëm ndaj agresionit rus, por edhe ndaj realitetit të zymtë në terren, Zelensky e pranoi më në fund javën e kaluar, se mund të braktiset përpjekja për çlirimin e territoreve të pushtuara nga Rusia, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë në NATO.
Dhe duke pasur parasysh se anëtarësimi në NATO është ende i largët për Kievin, ajo që po pranonte në fakt Zelensky ishte pashmangshmëria e humbjes së një pjese të territorit kombëtar, në kuadër të një negociate të ndërmjetësuar nga presidenti i ri Donald Trump me Kremlinin.
U takon historianëve të ardhshëm ta vlerësojnë, dhe popullit të Ukrainës që të debatojë, se çfarë mund të kishte bërë ndryshe Zelensky për të arritur një rezultat më të mirë. Por ajo që po bëhet shumë e qartë, është se me të drejtë ose jo, votuesit e Ukrainës e fajësojnë Zelenskyn për dështimet në këtë luftë, ndaj nuk dëshirojnë që ai të luajë ndonjë rol në të ardhmen e vendit.
Sondazhet e fundit, tregojnë se vetëm 22 për qind e ukrainasve do të votonin për ta rizgjedhur Zelenskyn për një mandat të dytë (vetëm 16 për qind e cilësojnë atë si zgjedhjen e tyre të parë). Sipas një sondazhi të kryer muajin e kaluar nga Qendra e Monitorimit Social në Kiev, rreth 60 për qind do të preferonin që Zelensky të ishte larguar tashmë nga posti që mban ende.
Në krye të sondazheve është gjenerali Valerii Zaluzhny - të cilin Zelensky e shkarkoi nga posti i shefit të shtabit të përgjithshëm në shkurt të këtij viti, duke e mënjanuar përmes emërimit të tij si ambasador në Londër - mbështetja e të cilit në zgjedhjet presidenciale është 42 për qind.
I treti në garë, është shefi enigmatik dhe i pamëshirshëm i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, gjenerali Kyrylo Budanov, me 18 për qind. Zyrtarisht, mandati 5-vjeçar presidencial i Zelenskyt përfundoi më 20 maj të këtij viti. Por në praktikë, nuk do të ketë fushatë apo votime ndërsa vazhdon ende lufta me Rusinë.
Ndërkohë, Zelensky dhe ekipi i tij do të vazhdojnë të qeverisin drejtpërdrejt përmes kompetencave të kohës së luftës, të cilat e anashkalojnë parlamentin dhe më e rëndësishmja, pezullojnë aktivitetin e të gjitha mediave jo shtetërore. Pavarësisht kufizimeve në raportim, një rrjedhë e vazhdueshme historish tronditëse rreth korrupsionit, ka nxitur zemërimin e votuesve.
70 për qind e tyre shprehen të bindur se qeveria po përfiton nga lufta. Portale të pavarura në internet, nga Zerkalo Nedeli, Ukrainskaya Pravda dhe Nashi Groshi - një faqe që merret kryesisht me gjurmimin e korrupsionit në prokurimet ushtarake - kanë zbuluar raste të zyrtarëve të shëndetësisë dhe mjekëve që fitojnë miliona nga lëshimi i certifikatave mjekësore të rreme për dezertorët, apo kontratat fitimprurëse të tenderave qeveritare që shkojnë për miqtë e ministrave etj.
Vitin e kaluar, Ministri i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov u shkarkua 6 muaj pas zbulimit të pagesave të fryra për ushqim dhe pajisje për ushtrinë. Muajin e kaluar, dha dorëheqjen kreu i një agjencie të ngarkuar me ndërtimin e bunkerëve të projektuar nga Britania për nënstacionet e energjisë elektrike të Ukrainës, që do t’i mbronin ata nga sulmet ruse.
Ai akuzoi anëtarët e qeverisë së Zelenskyt për bllokimin e qëllimshëm të fondeve dhe për kërkimin e ryshfeteve. Një burim tjetër i madh i zemërimit publik, është debati i vazhdueshëm rreth rekrutimit të detyruar. Mungesa e trupave të mjaftueshme në vijën e frontit, i ka detyruar autoritetet të marrin masa gjithnjë e më të dhunshme për të kapur ata që i shmangen rekrutimit. Video të këtyre veprimeve të dhunshme, shfaqen çdo ditë në mediat sociale të Ukrainës. Ka bastisje të koncerteve dhe klubeve të natës, dhe të rinj që goditen me shkelma dhe tërhiqen zvarrë drejt furgonave.
Në shumë prej këtyre videove, shfaqen kalimtarë të rastësishëm që ose i ndihmojnë të arratisurit ose brohorasin: ”Turp! Turp!”. Deri në 80 për qind të infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar ose dëmtuar, ashtu si edhe një pjesë e objekteve industriale. Ekonomia ka rënë me mbi 30 për qind të PBB.
Donacionet ndërkombëtare - për shembull, 6.1 miliardë dollarë në nëntor - po paguajnë pjesën më të madhe të pagave të mësuesve, mjekëve, infermierëve dhe zyrtarëve të qeverisë. Këtë vit, qeveria e Zelensky u detyrua të pezullonte pagesën e përfitimeve speciale për miliona njerëz të zhvendosur brenda vendit nga lindja e pushtuar nga Rusia.
Për pasojë, mijëra prej tyre janë rikthyer në shtëpitë e tyre, shumica duke udhëtuar tranzit nga Moska për shkak të mbylljes së të gjithë kufijve tokësorë. Rreth 150.000 refugjatë preferojnë me sa duket sundimin rus në vend të varfërisë dhe mërgimit brenda Ukrainës.
Petr Andriushchenko, këshilltar i ish-kryebashkiakut të Mariupol, rreth një e treta e popullsisë së qytetit të pushtuar tashmë nga Rusia, janë rikthyer tashmë në shtëpitë e tyre. “Shumë rajone në Ukrainës, janë jo miqësorë me personat e zhvendosur brenda vendit”-thekson Andriushchenko.
Sidomos për arsye se refugjatët nga lindja janë kryesisht rusishtfolës, diçka që gjithnjë e më shumë nuk po tolerohet në shumë nga pjesët perëndimore të vendit. Por burimi kryesor i pakënaqësisë me Zelenskyn, mbetet kostoja e tmerrshme njerëzore e luftës. Viktimat civile dhe ushtarake të Ukrainës janë një sekret shtetëror.
Por grupimet e shoqërisë civile si Mediazona, Meduza, Book of Memory dhe projekti UA Losses kanë dokumentuar me emra vdekjen e rreth 60.435 ukrainasve, përfshirë civilë deri në 6 nëntor të këtij viti. Numri i plotë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.
Beteja e fundit e brendshme e Zelenskyt, është t’i rezistojë thirrjeve - përfshirë ato në SHBA - për të ulur nga 25 në 18 vjeç moshën minimale të rekrutimit. Refuzimi i rekrutimit të 18-vjeçarëve, vetëm sa do të shtojë mungesën e popullaritetit të Zelenskyt.
Një gjë është e padyshimtë: sapo të shpallet data e zgjedhjeve të reja, nuk do të mungojnë arsyet për largimin e tij nga pushteti. Shumë ukrainas nacionalistë, do ta fajësojnë Zelenskyn për çdo lloj kompromisi që do të arrijë me Vladimir Putinin. Ata do të duan të luftojnë.
Ndërkaq, ukrainas të tjerë do të fajësojnë presidentin për mos arritjen e një marrëveshjeje me Kremlinin që në fillim të luftës. Ata do të fajësojnë edhe Perëndimin, që e detyroi Ukrainën të luftojë në vend se të arrinte një marrëveshje. Tragjedia e fundit e karrierës së tij politike, do të jetë nënshkrimi i ndarjes së një vendi, të cilin ai bëri aq shumë përpjekje për ta ruajtur siç ishte. Megjithatë në shumë aspekte, që janë në fakt më të rëndësishmet, Zelensky do të dalë fitues. Tetëdhjetë për qind e Ukrainës do të dalë e pavarur nga dominimi rus, dhe e lirë për të rindërtuar veten si një demokraci e begatë evropiane. Por kjo do të jetë puna e dikujt tjetër. Nëse Ukraina do ketë shumë fat, mund të gjejë një udhëheqës tjetër me forcën, karizmën me kalibrin e Volodymyr Zelensky-t.