Kamala VS Trump: Një betejë për Kushtetutën!

3 Nëntor 2024, 12:58Pikëpamje SHKRUAR NGA ALADIN STAFA
Kamala VS Trump

Me shkas nga libri «Të vërtetat që mbartim» e K. Harris

Pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e cilësuara si më të rëndësishmet në glob.

Nga njëra anë e kampit, është kandidati republikan Donald Trump, lehtësisht i favorizuar për t’i fituar ato dhe në anën tjetër, atë demokrat, një kandidate grua, karriera politike e së cilës duket se ka ndjekur hapa të logjikshëm.

Është Kamala Harris, një ish Prokurore e Përgjithshme, në një nga shtetet më të mëdha në SHBA, në Kaliforni.

Në një rend botëror patriarkal, sukseset e arritura nga një grua jo vetëm kalojnë në vështirësi të pamatshme por më së shumti ato nuk vlerësohen ashtu si duhet.

Pa harruar se në rastin e Harris, ne e dimë se ajo i përket rrethit të personave me ngjyrë.

Disa prej jush mund të mos e llogarisin këtë të fundit aspak si një argument, pasi jemi mësuar të frymëzohemi me idenë e ëndrrës amerikane, e cila na mëson se liria dhe mundësitë në atë anë të botës janë të pafundme por në fakt ndodh edhe e kundërta.

Racizmi, seksizmi, homofobia dhe antisemitizmi janë realitete në atë vend po aq sa dhe në Europë, duke përforcuar edhe njëherë faktin se ajo cfarë propagandohet është njësoj si ajo perdja para një shfaqjeje në teatër – plot kaos, ankth e debate- një rrëmujë që shikuesi nuk e ka luksin ta shohë.

Kamala Harris, ish- senatore dhe së fundmi një kandidate për presidente vjen nga një familje emigrantësh, një përzierje kulturash e traditash, që është njëkohësisht dhe thelbi i përmbajtjes demografike i kontinentit amërikan.

E diplomuar në Universitetin e Hovardit, si dhe lexuam në librin e saj, ajo e nisi karrierën e saj në sistemin e drejtësisë si prokurore.

Një grua që përtej komenteve jo gjithmonë dashamirëse, mbart ideale te pastra dhe një mirësi aq natyrale për të ndihmuar më të dobtit e të pamundurit.

Për shkak të punës, jeta i ofroi të përballej me probleme përditësore reale të qytetarëve amerikanë duke e bërë të kuptojë se nga ai pozicion nuk mund t‘i ndihmonte plotësisht këta grupe njerëzish.

Andaj për këtë arsye ajo refuzoi të bëhej Prokurore e Përgjithshme e Amerikës duke u ulur që këtej e tutje njësh me popullin.

Ndaj ajo zgjodhi të mendojë se përmes politikës, idetë e saj për një vend me të drejta më të barabarta, me një demokraci më të fortë dhe ku të dobtit do të kishin një zë më shumë përkundrejt padrejtësive do të implementoheshin më lehtë. Madje ajo jo vetëm e mendon këtë por e ka edhe bindje.

Qartësisht sistemin e drejtësisë ajo e shihte si një mjet ndërsa politikën si një zgjidhje përtej shkakut dhe pasojës.

Në thelb politika e tillë është, kështu ka qenë që nga lindja e saj në Greqinë e antikitetit e do të vazhdojë të jetë. Problemi i vetëm janë njerëzit që me pangopësinë e tyre, më shumë marrin se sa japin nëpërmjet saj.

Kamala vjen në këto zgjedhje si kandidate pas tërheqjes në garë që solli dorëheqja e J. Biden.

Dhe tani ajo përballë ka jo vetëm një politikan por dhe një biznesmen, një njeri sa praktik aq edhe karizmatik, motoja e të cilit në stilin e vet të jetës mbështetet tek ana materiale që sjell dialektika e jetës.

Ethshëm pritet rezultati i këtyre zgjedhjeve, jo vetëm për fatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës por dhe të gjithë botës.

Më shumë se kurrë fituesit do t’i bjerë barra e të bërit një politikë globale intensive, ku ´patatet e nxehta` ose do të ftohen ose do të nxehin kontinentet tej dhe anë oqeaneve- të Europës dhe Lindjes së Mesme gjithashtu.

Kamala duket jashtëzakonisht e motivuar, pozitive dhe shpresëdhënëse në tubimet e saj elektorale të cilat i ka përballuar me dinjitet edhe kur është dashur të dëgjojë fyerjet e tjetrit.

Madje jo rrallë e kemi dëgjuar ta krahasojë veten edhe me një superheroinë si ata të filmave Marvel apo DC, ku kundër forcave të errëta, dorëzimi nuk është një opsion dhe se lufta duhet cuar deri në fund.

Por si do ja dalë ajo ta bëjë për vete popullin amerikan që përtej së gjithash, mbetet një nga popujt më lehtë të influencuar në planet?

Sic ajo thekson në librin e saj – ´Të vërtetat që mbartim´- e vërteta është celësi i suksesit. Dhe rrugë më të mirë se ajo nuk ka: të qenurit e vërtetë, gjetja e problemit, pranimi i tij dhe ofrimi i zgjidhjes.

Prej këtej Kamala ka zgjedhur të dalë përballë elektoratit duke mbajtur një profil të ulët dhe shumë njerëzor.

E vërteta është relative ndaj dhe përdorimi i saj duhet të jetë i kujdesshëm pa shkuar në gjysëm të vërteta sepse këto shenjojnë dhe gënjeshtrat më të mëdha.

Si një prokurore e zonja ajo bën kombinimin e drejtësisë me të vërtetën në mënyrë që nëpërmjet kësaj simbioze të ofrojë lirinë, kjo e fundit e kapur fort përmes kthetrave elegante e të padukshme të grupeve të interesit, ata që duan të sfidojnë të dobtit.

Por a do të arrijë dot Kamala të krijojë përsëri një precedent ashtu sic ka bërë deri më tani gjatë karrierës së saj?

Një gjë duhet të thuhet- nëse deri para një muaji diferenca e dy kandidatëve ishte e madhe tanimë ajo është ngushtuar ndjeshëm dhe e marta e kësaj jave të re, data 5 nëntor, do të shenjojë përgjigjen përfundimtare.

Materializmi apo Liria? – Kjo është cështja.

Video