Gaz Bardhi si luan, Korreshi si dragua, u ngujuan si Oso Kuka...

21 Tetor 2023, 16:16Pikëpamje SHKRUAR NGA AGRON GJEKMARKAJ
Agron Gjekmarkaj

Një sërë shqetësimesh ranë si shi mbi Kostën e Gramozit dhe Linditës në dhe të huaj në Kanada shumë larg vatanit.

U skuq dhe sytë i nxirrnin xixa në Parlamentin dhe Senatin e Otavës se askund nuk pa siç hije do ju kishte atyre institucioneve portretin e Babos teksa lloj-lloj spitullaqesh dukej sikur i nxirrnin gjuhën me vështrimet e tyre të murosura. Si dash i tërbuar vërtitej sa lart poshtë.

Skërmiste dhëmbët e për pak desh zbriti nga makina e na iku tek Kryeministri Trudo që ta bënte rezil, por pas shumë lutjesh u bind se i ziu sapo ishte ndarë nga gruaja dhe një sërë hallesh e kishin zënë me komisionet hetimore se ata i japin nuk i mbajnë.

Vende vende maste token me sy dhe pëshpëriste “cope e mirë, copë e mirë për një monument” dhe e qeshura si diell e pushtonte të tërin.

E fali Trudonë e gjorë dhe kësaj here po nuk këndon qyqja për të nëse nuk korrigjohet kur mot Kostaqi andej t’ja behë enkas për të ndjekur fatin e qortimeve.

Mes punërash që i zënë frymën për mbarëvajtjen e delegacionit një tjetër zezonë kishte ndodhur teksa ne indiferentët flinim. Ishte zgjuar natën si lugat kur në Tiranë i binte ora 10.

Opozita në Kuvend kishte bërë hatanë duke bllokuar karriget e penguar punimet. Si luan Gaz Bardhi, si dragua Sajme Korreshi edhe pse i plagosur zunë pritë dhe nuk e lanë padrejtësinë të kalojë. Bledion Nallbati si tigër hungëronte. Kryezëvendës Lideri piskamën lëshonte për mësymje.

Ata njëzëri thanë se si Oso Kuka në Vraninë do të ngujohen derisa demokracia të kullosë përsëri asaj ograje dhe qederi të marrë të keqen.

Ermua qerratesha që me aq qejf e pret drejtimin e seancës mbet me gisht në gojë, gati u alivanos marazi. Pastaj sëbashku me Bushkën me dorën që presin sallam e me gjuhën që grijnë sallatë kishin gatitur 23 mandata për dënim deputetësh. Be të madhe kishin bërë të uruarat. O bëjmë opozitën terbiet o biem fli. Të gjerë e kanë shpirtin sa arsyen.

Sa gjynah Ermua kishte veshur kostumin e bukur kaf me kuadrate dhe golfin e verdhë, bash për të lumen ditë.

Vetë Tao patroni i Lulit doli në oborr dhe u zu me Gazin gojëhidhurin që i prishu gjakun.

Kosta kishte marrë një ngjyrë gri, lëkura i ishte bërë plloça plloça, sytë e përskuqur i nxirrnin tym, nga goja një taft shkrumi dilte si llavë inceneratori.

Ndonëse ishte fshehur pas një pirgu me ushqime si ushtari japonez në istikam, në restorantin e Hotelit i ngulte dhëmbët një salsiçeje si të ishte dora e Albana Vokshit që shkon pranë karriges së Kryetares. Ashtu të murretyer dhe më katolik se Lindita e gjeta tek i nxirrte fundin një tasi me kos piklosur me ndoca mjaltë kundër zeherit. Nuk donte të fliste ndaj hante si dreq. Shihja me frikë mos këpuste gishtat. Dukej fërgellues nga mërzitë e njëpasnjëshme dhe tek e ngrëna gjente një hapësirë shfryrjeje.

Prita sa prita ju drejtova “more i uruar a të bisedojmë si dy levender të mendimit?”. Ashtu zemrueshëm tha “prishur mos qoftë” dhe filluam! Mos bëfshin hajër, mos bëfshin gjithë ata që na prishin gjakun foli. E drejtë e drejtë ja ktheva, po si opozitar më shumë dilema që jam si duhet të sillemi bashkë me shokët e mi?

Po ja tha vendosni disa parime bazike !

E para vjen Babo në Kuvend mos rrini hunde e buzë se ai ngënë e ka të pakët dhe i prishet qejfi. Buzëqeshni sapo Çyrbja t’ju bëjë shenjë. Jorida ti bëjë një kafe në shenje paqeje. Kur ai të flasë asnjë të keqe s’ka të duartrokisni dhe duart flakë ti bëni. Në këmbë të ngrihemi? Për mirë do të merrej. Kur flet Bela duartrokisni lehtë, ulur, që të ketë diferencë. Nëse Bora qesh qeshni dhe ju. Atëherë kur duket sikur Niko ka mendim rrini dhe ju të menduar. Po kur flet Ulsiu? Përcilleni me dashamirësi, aq di aq thotë.

Elisa? Merrni shënime!

Llafin e Tezes mos e kontestoni se duhet respekt për kohën.

Po ndaj pleudarisë së Antonetës dhe Etjenit si të sillemi? Lëshoni zukama habiet. Po kur flakë i jep Blerina retorikes? Ngrohuni nga zjarri. Eni Zake vendos të diskutojë? Ëndërroni. Po kur Margeriti na sheh me indiferencë të përhumbur. Gëzohuni për dritën që morët. Po kur Xhemali citon filozofet e mëdhenj ? Ju citoni Xhemalin. Po kur Dilua mbron qeverinë? Ju përgëzoni Dilon. Po kur Bujari i Lushnjes ja merr këngës? Po këndoni se nga kënga s’ka të keq njeri!

Me patos e vërtit Ogerta? Ajo thotë mendimet e veta ju tundni kokën tuaj. Me lutjet e Tonit ? Një amen mjafton.

Atëherë kur Mimi di Pucini rrëfen të shkuarën me piano dhe njoki? Ju i thoni u beftë vullneti yt si në qiell ashtu në tokë, rrëfimin e përditshëm falna sot.

Ndonjëherë Majko kollitet….? Ju njëzëri shëndet brohorisni. Po kur Etilda të vijë e heshtur e melankolike? Po ja Xhelal Mziu t’i këndojë një këngë zamani me çifteli. Më habiti po nuk e fsheha admirimin për këto pika traktati që sjellin paqe e vëllazëri mes pushtetit e opozitës.

Kur mendova se mbaruam ai më bëri një pyetje po të madh e kishte dyshimin në mos nuk i thoja të vërtetën. Si është puna që Luli do t’ju heqë nga rreshti ty dhe Gazin? Po ja more lezeti i Tabil Sarrajt i thashë, “kur ai fliste me patos atë ditën e sy kateve, unë nga vendi ja bëja yp xhixhi, yp xhixhi e mbyte” pastaj kur desh te ulej në karrige i kërkova pesë mijë lek të vjetra që ta lija të kalonte. Luli si Luli desh pazar jo janë shumë jo janë pak tha 3 mijë të vjetra dhe të gjitha në fund të vitit. Po ku i kihet besë atij për punë lekësh dhe u zumë. Po Gazi? Ç’të them! U ndjeva ligësht gjithë kohës i thërriste “o zullap o zullap, do të bëje të flasësh me vete me ato që di”.

I ngrati nuk paska faj tha Kosta i rihumanizuar. Pastaj la këshillën e fundit.

Kur të kalojë Doktori shfryni të gjithë njëzëri-mallkuar qofsh. Po pasi ti bëjmë këto? Atëherë jeni opozita që duam, properëndimore dhe ai qerratai Arbër Agalliu nuk ju jep më këshilla qysh të vejë mbroth atdheu. Të faltë Zoti more bekim i thashë ku i gjete gjithë këto?! Dialogjet me Kostën më ndihmuan të rilexoj politikën, jetën dhe botën.

Video