Bylbyli i qeverisë Kanye West

9 Korrik 2026, 18:37Pikëpamje SHKRUAR NGA FIONA KOPALI
Kanye West gjate nje kocerti

Vjosë-Narta strehon flamingot rozë e pelikanët kaçurrelë. Midis shpendëve që gëzojnë mbrojtje të veçantë, një vend të nderuar zë bylbyli, po ndryshe nga flamingot dhe pelikanët, bylbyli nuk ka nevojë për laguna të paprekura, i duhet stadium i ndërtuar enkas për të.

Unë nuk kam asnjë problem me koncertin e Kanye West në vetvete, përkundrazi, hyj te simpatizantët e muzikës së tij, dhe nuk mund të mos gëzohesha kur mora vesh se do të vinte në Tiranë. Problemi është se ky aktivitet u prezantua si plotësisht privat, e përfundoi duke u financuar nga Fondi Rezervë i shtetit me 400 milionë lekë, të përkthyera si vetëm 4 milionë euro. Si ka ardhur kursi i këmbimit, i bie plot 4 milionë e 250 mijë euro.

Më 6 korrik 2026, Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ nr. 3, duke vendosur financimin e pjesshëm të organizimit të koncertit të bylbylit Kanye West me 400 milionë lekë, një shifër jo e lirë, por që i shkon formatit të qeverisë. Në akt thuhet se fondi merret nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit dhe transferohet te Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Ligji nuk pyet nëse artisti është i famshëm, pyet vetëm nëse lejohej përdorimi i Fondit Rezervë për këtë qëllim?

Ligji nr. 9936 "Për menaxhimin e sistemit buxhetor" e përkufizon Fondin Rezervë si fond që krijohet për të financuar shpenzime jo të përhershme dhe të paparashikuara në momentin kur hartohet buxheti. Madje neni 5 është edhe më i prerë, thotë se Fondi Rezervë përdoret vetëm për shpenzime që nuk njiheshin dhe nuk mund të parashikoheshin gjatë përgatitjes së buxhetit.

Fjala kyçe është "vetëm", jo "edhe". Vetëm. Kjo do të thotë se nuk është një thes me flori ku qeveria fut dorën sa herë i del një projekt interesant, po fond i jashtëzakonshëm për situata të jashtëzakonshme, historikisht i përdorur për përmbytje, tërmete, zjarre, epidemi, fatkeqësi natyrore apo emergjenca civile. Jo për të mbuluar diferencën financiare të një aktiviteti privat.

Neni 45 i të njëjtit ligj e bën logjikën shumë të qartë. Nëse një ministri kërkon fonde shtesë, duhet të shpjegojë pse shpenzimi nuk ishte planifikuar, pse nuk mund të shtyhet për vitin tjetër, çfarë përfitimesh sjell dhe pse nuk mund të financohet duke shkurtuar zëra të tjerë të buxhetit. Vetëm nëse këto kushte plotësohen dhe nuk ka zgjidhje tjetër, Ministri i Financave mund t'i propozojë Këshillit të Ministrave përdorimin e Fondit Rezervë.

Ligji e trajton këtë fond si zgjidhjen e fundit, jo si zgjedhjen e parë. Qeveria nuk u mjaftua me përdorimin e Fondit Rezervë, përdori edhe një Akt Normativ, duke u mbështetur në nenin 101 të Kushtetutës, ndër dispozitat më të forta dhe më përjashtimore të Kushtetutës shqiptare. Ai i lejon Këshillit të Ministrave të nxjerrë akte që kanë fuqinë e ligjit vetëm në rast nevoje dhe urgjence, me fjalë të tjera, vetëm kur situata është aq e jashtëzakonshme sa nuk pret dot procedurën normale parlamentare. Kjo është arsyeja pse Kushtetuta e detyron Kuvendin të mblidhet menjëherë dhe ta shqyrtojë aktin brenda 45 ditëve, se Akti Normativ nuk është një mënyrë më e shpejtë për të qeverisur, por përjashtim nga rregulli.

Ligji nr. 9936 nuk mjaftohet me përcaktimin e kushteve për përdorimin e fondit rezervë, e ka menduar edhe pjesën e "faturës" ndaj publikut. Neni 3, pika 15, e përkufizon atë qartë si fond për shpenzime "jo të përhershme dhe të paparashikuara", një përkufizim që dukshëm nuk e njihte talentin e Kanye West-it për t'u shndërruar në "emergjencë kombëtare" brenda pak ditësh. Por ligji shkon më tej: neni 63 detyron Këshillin e Ministrave t'i paraqesë Kuvendit, brenda muajit qershor, një raport vjetor të konsoliduar mbi përdorimin e fondit rezervë.

Transparenca, pra, nuk është zgjedhje që qeveria ia bën vetes kur ka qejf, është detyrim ligjor, me datë dhe afat. Kjo e bën edhe më zbavitëse pyetjen se si një koncert i planifikuar prej muajsh, me organizatorë privatë, kontratë të nënshkruar dhe bileta në shitje prej kohësh, u zbulua papritur si "e paparashikueshme", pikërisht në kategorinë që neni 63 e do të mbikëqyrur nga Kuvendi, jo të vendoset në heshtje, në minutën e fundit, nga Këshilli i Ministrave. E paparashikueshme ka qenë vetëm mosshitja e biletave.

Sipas Kryeministrit, emergjenca ishte që Shqipëria të mos turpërohej. Në postimin e tij ai shpjegoi se ndërhyrja u bë "në minutën e fundit", për të mos turpëruar Shqipërinë para rreth 25 mijë të huajve nga 80 shtete, për të mos humbur mundësinë e promovimit turistik dhe për të gjeneruar të ardhura ekonomike prej anulimit të koncertit. Ironia është që shumica koncerteve të Kanye West në Europë janë anuluar: Britania e Madhe, Italia, Franca, Zvicra e Polonia mbajnë tani vulën e turpit nga anulimi i koncerteve të tij, gjë që pritet të ndikojë shumë keq turizmin dhe të ardhmen e reputacionit të këtyre shteteve. Falë Zotit, ne e zgjidhëm, do ta hamë turpin me bukën që do të shitet gjatë koncertit.

Në vitin 2023, me Vendimin nr. 168, datë 24.3.2023, të Këshillit të Ministrave, miratuar në bazë të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 45/2019 "Për mbrojtjen civile", qeveria miratoi, me shumë kujdes, dokumentin kombëtar për Vlerësimin e Riskut nga Fatkeqësitë. Ekspertët u përpoqën të parashikojnë çdo rrezik të mundshëm për Shqipërinë: tërmete, përmbytje, zjarre, pandemi, po askush, fatkeqësisht, nuk e parashikoi rrezikun më të madh të verës 2026, një amerikan me bileta të pashitura. Mendoj se duhet një VKM e re që ta shtojë këtë kategori me urgjencë, për herë të parë në histori, "turpi artistik" si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Thonë se qeveria pritet ta shtrijë dorën edhe te populli, do të kthejë në emergjencë kombëtare edhe lokalet e lagjes që nuk i kanë tavolinat plot.

Duhet të kemi parasysh se koncerti nuk lindi si projekt shtetëror, na u tha se ishte një aktivitet plotësisht privat. Ndonëse ministri Gonxhe tha më 1 maj se shteti ka dhënë kontribut për të sjellë bylbylin në Tiranë, po pastaj e ndërroi versionin. Siç ndodh në këtë industri, organizatorët privatë negociuan me artistin, kontraktuan performancën, nxorën biletat në shitje. Nuk dihet sa është paguar Kanye West për koncertin në Tiranë, po vetë artisti ka deklaruar në të kaluarën se honorari i tij për një performancë është 8 milionë dollarë (rreth 7 milionë euro). Kur shitjet nuk po ecnin me ritmin e pritur, nisën thirrjet publike për të blerë bileta, dhe shteti vendosi të ndërhyjë me mbi 4 milionë euro për të ndihmuar organizatorët shqiptarë, jo Kanye-n, se ai nuk i merr lekët pas dasmës. Shpëtimi i dinjitetit kombëtar nuk kushtoka as 7 milionë euro, po vetëm 4.

Në ekonominë e tregut, kur një sipërmarrje fiton, fitimin nuk e ndan me taksapaguesit. Atëherë pse, kur del në vështirësi, humbja duhet të ndahet me ta? Kanye nuk e ndau me ne fitimin nga koncertet e tjera që nuk iu anuluan. As Ylli Limani në dy net koncerte të mbështetura nga Bashkia në kulmin e protestës, po edhe sa e sa koncerteve të tjera të sponsorizuara nga shteti nuk u është bërë llogaria. Në një shtet të së drejtës nuk mjafton që rezultati të jetë i mirë, duhet që edhe rruga për të arritur te ai rezultat të jetë e ligjshme.

Nëse shteti vendos të financojë një koncert të këtij niveli, nuk mjafton të paguhet artisti apo organizatorët. Ligji shqiptar për të drejtën e autorit sjell një sërë detyrimesh të tjera ligjore. Duhet të paguhen tarifat për ekzekutimin publik të veprave muzikore, të sqarohet nëse media si Top Channel që ka reklamuar shitjen e biletave mund të transmetojë koncertin në të ardhmen, për të promovuar kulturën e turizmin, natyrisht me miratim me shkrim nga Kanye. Duhet të respektohen të drejtat e autorëve, kompozitorëve dhe tekstshkruesve. Duhet të kryhen pagesat në agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit, së bashku me detyrimet fiskale dhe tatimore që lidhen me aktivitetin, pijet të shiten me faturë, etj. Pra, nëse po shpëtojmë Shqipërinë nga turpi artistik, ta bëjmë të plotë, duke respektuar edhe të drejtën e autorit. Se turpi juridik është po aq i shtrenjtë sa ai artistik.

Para një muaji, Kryeministri deklaroi se Shqipëria nuk është e shqiptarëve. Sot e kemi shumë të qartë domethënien e asaj shprehjeje, qenka e Kushner-it dhe e Kanye-s. Shteti funksional matet nga mënyra se si përdor pushtetin dhe paranë publike, dhe nëse nesër çdo projekt që rrezikon të dështojë mund të shpallet "urgjencë", atëherë neni 101 i Kushtetutës humbet kuptimin. Nëse çdo problem marketingu mund të financohet nga Fondi Rezervë, atëherë Fondi Rezervë nuk është më fond për fatkeqësi, po për fikjen e zjarrit të biletave të pashitura. Tërmetet nuk i parashikojmë dot, po mënyrën si respektojmë Kushtetutën, po. Kanye mund t’i këndojë kështu vargjet e këngës së tij në Tiranë: I ain't saying the government is a Gold Digger... but it ain't shy when the public gold gets bigger.

*Fiona Kopali është juriste e së drejtës së teknologjisë, medias dhe telekomunikacioneve, LLM, Queen Mary University of London


Video