
Po ju shkruaj si një qytetar amerikan. Gjyshërit e mi u larguan dikur nga brigjet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara, duke ndjekur të njëjtën ëndërr që ka shtyrë çdo emigrant të marrë rrugën e mërgimit: një jetë më të mirë, ëndrrën amerikane. Ata mbërritën në një vend që besonin se ishte, siç e përshkroi dikur Presidenti Ronald Reagan, “një qytet që ndriçon mbi kodër”.
Për ta, ajo dritë ishte e vërtetë. Ishte Statuja e Lirisë në portin e Neë York-ut, me krahun e ngritur lart për të mirëpritur të lodhurit, të varfrit dhe ata që kërkonin shpresë. Kështu ishte edhe historia e familjes sime. Ishte premtimi se në Amerikë pushteti buron nga vullneti i qytetarëve, jo nga favoret e njerëzve të fuqishëm. Pikërisht këtë premtim Amerika feston sot. Këtë javë mbushen 250 vjet që kur ajo shpalli para botës këtë parim të guximshëm.
Një të vërtetë ma mësuan gjyshërit e mi: Shtetet e Bashkuara janë standardi me të cilin matet liria. Nëse Amerika humbet një ditë rolin e saj si simbol i shpresës dhe si busull morale për botën, atëherë e gjithë bota do ta ndiejë pasojën. Bota i drejtohet asaj drite për të kujtuar se njerëzit e zakonshëm kanë rëndësi, se ligji duhet të vlejë për të gjithë dhe se askush nuk është mbi qytetarët. Nëse ajo dritë zbehet, boshllëkun e mbushin tiranët dhe pazaret e bëra në errësirë.
Sot, ky është pikërisht testi që po zhvillohet në Shqipëri.
E kam parë me sytë e mi. Familje si e imja në jug të Shqipërisë, që kanë punuar të njëjtën tokë brez pas brezi, presin me vite për të riparuar një çati ose për të regjistruar pronën e tyre. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama hap rrugën brenda pak ditësh për marrëveshje me vlerë miliarda euro, të negociuara larg syve të publikut.
Toka e të parëve tanë nuk mund të trajtohet si një zë në një bilanc financiar. Në atë tokë ndodhet gjaku i gjyshit tim, lutjet e gjyshes sime dhe trashëgimia e stërgjyshërve të mi. Asnjë marrëveshje e fshehtë nuk duhet të ketë fuqinë të zhdukë atë që është ndërtuar me shekuj sakrificash. Shqipëria nuk është në shitje.
Më 3 qershor 2026, mijëra shqiptarë marshuan në Tiranë. Ata protestuan sepse Affinity Partners, kompania e lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, po synon të ndërtojë një resort me vlerë 1.4 miliardë euro në bregdetin e Adriatikut, pranë Vjosë-Nartës. Pikërisht aty ushqehen flamingot, pushojnë fokat dhe shumohen breshkat e detit. Projekti përfshin qindra hektarë nga një prej brigjeve më të paprekura të Shqipërisë.
Ky nuk është “investim”. Kjo është mënyra se si Rama e përdor bregdetin shqiptar si monedhë shkëmbimi për të siguruar mbështetje dhe ndikim politik. Këtë e pamë hapur edhe në “Board of Peace”. Në Ballkan, ky lloj “aksesi” ka vlerën e një monedhe. Në çdo vend normal, do të quhej vjedhje.
Kur shqiptarët dolën në protestë, Rama iu përgjigj me arrogancë. Ai u tha protestuesve: “F*** you!” Ishte versioni modern i shprehjes së famshme: “Le të hanë tortë.”
Në atë moment maska ra.
Një udhëheqës që u thotë qytetarëve “F*** you”, ndërsa ata mbrojnë tokën e tyre, pranon vetë se nuk punon për popullin. Ai punon për marrëveshjen. Punon për veten.
Kjo është fyese.
Ndërsa shqiptarët humbasin vite të tëra nëpër sportelet e burokracisë, ata që kanë lidhjet dhe mbiemrat e duhur marrin trajtim të përshpejtuar. Ndërsa qytetarët respektojnë ligjin, Rama ia dorëzon bregdetin Kushnerit përmes marrëveshjeve të mbyllura. Këtë e quajnë “progres”. Në të vërtetë është plaçkitje. Kushner dhe Affinity kanë zgjedhur të heshtin, sepse e vërteta do t’i dënonte.
Kjo duhet të marrë fund.
Shqiptarët kanë treguar se nuk janë të gatshëm të heshtin. Të shtunën u mblodhën në Vjosë-Nartë, pranë Vlorës. Të martën protestuan përpara zyrës së Ramës me flamingo dhe pankarta ku lexohej: “Kombi nuk është në shitje” dhe “Nuk e dua Shqipërinë si Dubai.”
Historia e njeh mirë këtë moment. Prandaj duhet të shtrojmë një pyetje: Çfarë do të thotë për ju 4 Korriku?
Dyqind e pesëdhjetë vjet më parë, amerikanët refuzuan mbretërit dhe privilegjet. Ata shpallën se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Nuk ka kastë të privilegjuar. Askush nuk është mbi popullin. Kjo ide udhëtoi nga Athina në Filadelfia. Sot është radha e Shqipërisë ta bëjë të sajën.
Të dashur shqiptarë, protestat tuaja të përditshme, të cilat po i ndjek nga këtu, janë frymëzuese. Ato më kujtojnë Amerikën e gjyshërve të mi: qytetarë që besonin se ishin sovranë, jo nënshtetas. Pamjet nga Tirana dhe Vlora të japin ndjesinë se ajo dritë mbi kodër ka gjetur një vend të ri ku të shkëlqejë.
Shqiptarë, vazhdoni të ngriheni. Vazhdoni të protestoni. Në mënyrë paqësore. Të bashkuar. Me zë të fortë.
Qeveria ekziston për t’ju shërbyer juve, jo për t’ua dhënë tokën miqve të Ramës. Çdo marshim i kujton atij se Shqipëria nuk është një mall që shitet. Çdo pankartë u kujton Kushnerit dhe Trumpit se bregdeti juaj nuk është trofe. Forca juaj është në rrugë, në votë dhe në refuzimin për t’u nënshtruar.
Kjo tokë u përket juve dhe fëmijëve tuaj.
Në 250-vjetorin e Amerikës, mbani mend këtë: aleatët e vërtetë respektojnë sovranitetin tuaj. Udhëheqësit e vërtetë nuk u thonë qytetarëve të tyre “F*** you”. Statuja e Lirisë vijon të shohë nga bota, por kuptimi i saj mbetet i gjallë vetëm atëherë kur njerëzit refuzojnë të shiten.
As Rama dhe as Kushner nuk do të zgjasin më shumë se vullneti juaj. Fuqia për ta ndalur këtë është në duart tuaja.
Vazhdoni të ngriheni.
*Autori është ish- shef protokolli në Departamentin e Shtetit.