A u shndërrua SPAK në vegël e hakmarrjes së LSI-së?

29 March 2022, 19:46Pikëpamje SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

A u shndërrua SPAK në vegël e hakmarrjes së LSI-së?

SHËNIM - Dy pjesët e ndara të Partisë Demokratike nxituan të marrin kreditet për aksionin e SPAK ndaj inceneratorëve, ku njëra palë foli me anë të Belind Këlliçit dhe pala tjetër me anë të Jorida Tabakut.

Jorida Tabaku ja dha meritat komisionit hetimor parlamentar që drejtoi vetë, ndërsa Belind Këlliçi veç punës së këtij komisioni, vlerësoi edhe bashkëpunimin me LSI-në. Në të vërtetë, nëse kihet parasysh e gjithë kronologjia e denoncimeve që janë bërë, LSI ishte e para që iu drejtua SPAK për këtë çështje.

Padive të saj iu bashkëngjiten më pas edhe ato të PD-së, që në komisionin hetimor parlamentar e la jashtë LSI-në. Në të dyja rastet, si në arrestimin e Lefter Kokës, ashtu edhe në kërkesën për autorizim për arrestimin e Alqi Bllakos njoftimet e SPAK sugjerojnë se hetimet janë bazuar fort te denoncimet e LSI-së.

Ironike është fakti që si Koka, ashtu edhe Bllako janë ish-njerëz të LSI-së, madje bashkëpunëtorë të afërt me Ilir Metën. Koka si deputet e si ministër Mjedisi, ndërsa Alqi Bllako si Sekretar i Kokës, e deri si Sekretar i Metës në Presidencë.

Në çdo dalje publike, aktivitete e prezantime raportesh për punën që prokurorisë që drejton, Arben Kraja deklaron se kjo strukturë nuk njeh bindjen e kahjet politike të personave nën hetim, por vetëm ligjin dhe objektivin që i ka caktuar ligji në kuadër të reformës në drejtësi; luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta.

Por, urdhër-arrestet për Kokën dhe Bllakon lënë sado pak shijen e hidhur se në këtë rast, me apo pa dashje SPAK është shndërruar në një mekanizëm që po i shërben hakmarrjes së LSI-së dhe po ndëshkon emrat që u prishën me Ilir Metën.

Në këtë rast, çështja e inceneratorëve meriton hetim, por po në sirtarët e SPAK ka edhe dosje të tjera të bujshme korrupsioni dhe hesape të pambyllura me protagonistë drejtues e ish-drejtuesit më të lartë të shtetit; përfshirë këtu Ilir Metën.

Dosjet e trashëguara që po flenë janë disa, që nga ato me kosto financiare, deri te ato me humbje njerëzore, si CEZ-DIA, HEC-et, 21 Janari, Gërdeci, Kompleksi Partizani, Fabrika e boronicave, markimi i karburanteve dhe privatizimet e koncesionet e tjera që janë dhënë ndër vite, ku dy prej tyre janë shndërruar në një barrë sot edhe në çmimin e naftës.

Të gjitha këto na çojnë të dyshimet e arsyeshme se Prokuroria e Posaçme, po vepron me dy standarde; një për qytetarët dhe bizneset pa pushtet dhe tjetra për të zyrtarët, ish-zyrtarët dhe të pushtetshmit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video