Geminat peccatum quem delicti non pudet
Është epoka e njerëzve të panegociueshëm. Të atyre që gabojnë shumë. Gabojnë çdo ditë, sidomos ndaj atyre që i kanë poshtë vetes. Kur viktimat e gabimeve të tyre përpiqen t’u thonë se kanë gabuar apo bërë një padrejtësi, këta, në vend që të skuqen, i mbahen me kokëfortësi gabimit apo krimit të tyre dhe e dyfishojnë gabimin duke u bërë edhe më prepotentë: nevrikosen, trazohen, skuqen, ofendojnë, përplasen deri në tërbim.
Askush në vendin tonë të lumtur dhe krenar nuk e “ul veten” të pranojë se mund të ketë gabuar. T’i thuash dikujt se je gabim, të kryqëzon, të linçon, të bie mohit dhe të heq nga lista e të njohurve paqësorë, duke të kthyer në një armik stradal. Pastaj mjerë takimi aksidental me armikun!
Qenia e thjeshtë dhe e pafajshme njerëzore, e viktimizuar befasisht nga ky realitet, ndihet tmerrësisht keq, i duket vetja fajtor, kërkon ta gjejë se ku e ka fajin; kthen prapa gjithë shiritin e veprimeve të veta dhe, kur nuk gjen asnjë shkelje, e çon mendjen tek faji i origjinës tek felix culpa, tek idili i kopshtit të Edenit, tek ngrënia e frutit të ndaluar dhe përpiqet të negociojë me viktimizuesin e tij; përpiqet t’i kërkojë falje, por hiç! Viktimizuesi merr pozicionin e Krijuesit, bëhet edhe më i egër, më i keq, më faqezi, më i pamëshirshëm dhe absolutisht i panegociueshëm.
Të tillë janë eprorët e kohës dhe sidomos një kategori personash të gjithëdijshëm dhe gjysmë apo çerek të kulturuar, që marrin përsipër t’i japin vlerësimin përfundimtar çdo diskutimi, që kanë ide të vagullta dhe informacione sipërfaqësore nga faqet kulturore të gazetave të parukerive për gjëra që nuk janë të fushës së tyre të dijes. Nëse, larg qoftë, informacioni i tyre divulgativ dhe padijenia e tyre përplaset me mendimin e kthjellët të ekspertit, atëherë mjerë për ekspertin! Nga ekspert dhe njohës i fushës, ai kthehet në armik i përjetshëm.
Dikush shkruan: “Filani po Lufton me jetën” dhe ti i thua nuk duhet shkruar ashtu, sepse “filani po lufton me vdekjen ose po lufton për jetën”, ky shkrues bëhet armiku yt i përjetshëm. Dikush tjetër, duke parë dërrasat e urës së Bunës tek po kalben shprehet: “Po degradon ura e Bunës”, në vend të shkruajë se po degradohet ura e Bunës. 'Degradon' është folje veprore kalimtare. Fill pas saj vjen kryefjala ura e Bunës, por mungon kundrinori (objekti) e natyrshëm lind pyetja: “Kë po degradon ura e Bunës?”. Mbase kalimtarin me biçikletë.