
Qeveri, institucione publike dhe kompani në mbarë botën po përpiqen të korrigjojnë urgjentisht dy dobësi kritike të sigurisë kibernetike në PHP, një gjuhë programimi që përdoret nga një pjesë e madhe e faqeve të internetit.
Sipas The Telegraph, problemet kanë detyruar institucione në disa vende evropiane të mbyllin përkohësisht faqet e tyre, për të parandaluar sulme të mundshme dhe vjedhje të të dhënave.
Mes institucioneve të prekura janë Ministria e Brendshme e Francës, qeveria finlandeze, Parlamenti holandez dhe disa universitete evropiane.
Në Britani, autoritetet vendore të Edinburgut, Oksfordit dhe Bristolit ndërprenë aksesin në faqet e tyre, ndërsa masa të ngjashme u morën edhe nga Porti i Roterdamit, një nga qendrat më të mëdha tregtare të Evropës.
Agjencia britanike për Sigurinë Kombëtare Kibernetike (NCSC) u kërkoi organizatave të përditësojnë menjëherë sistemet e tyre ose t’i nxjerrin përkohësisht jashtë funksionit nëse nuk mund të zbatojnë masat mbrojtëse.
Paralajmërime të ngjashme u dhanë nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë e SHBA-ve (NSA), institucionet evropiane të sigurisë kibernetike dhe autoritetet në Australi e Japoni.
Dobësitë u zbuluan me inteligjencë artificiale
Dy problemet e sigurisë, të cilat sipas raportimit kishin ekzistuar prej rreth një dekade, u identifikuan me ndihmën e mjeteve të inteligjencës artificiale të zhvilluara nga OpenAI dhe Google.
Kompania e sigurisë kibernetike Wiz tha se kishte përdorur modelet GPT-5.6 Sol dhe Gemini 4 Argon për të zbuluar dobësitë, të cilat i cilësoi ndër më seriozet e identifikuara ndonjëherë në PHP.
Sipas kompanisë, problemet u zbuluan në gusht, ndërsa Shtëpia e Bardhë u informua javën e kaluar.
Dobësitë mund t’u mundësojnë sulmuesve të ekzekutojnë kod keqdashës në serverë pa pasur nevojë të identifikohen, duke krijuar mundësi për akses të paautorizuar në skedarë dhe baza të dhënash.
Kjo është veçanërisht shqetësuese sepse PHP përdoret për të lidhur faqet publike të internetit me sistemet ku ruhen informacionet e përdoruesve.
Fondacioni që administron PHP-në publikoi përditësime urgjente të sigurisë të mërkurën, duke u kërkuar përdoruesve t’i instalojnë menjëherë.