Ambasada Gjermane në Tiranë është interesuar se si po zbatohen në terren strategjitë e bashkëpunimit për të hetuar krimet zgjedhore.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, Prokurori Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, të ftuar nga ambasadori gjerman, kanë treguar gjetjet e deritanishme në terren.
Krahas ambasadorit gjerman, numri dy i ambasadës amerikane, ambasadori i Britanisë së Madhe dhe Francës i kanë drejtuar pyetje tre të ftuarve.
Të njëjtat burime tregojnë se në këtë takim ishte i pranishëm edhe kreu misionit të vëzhgimit të OSBE – ODIHR, ambasadori Zanier dhe përfaqësues nga delegacioni i BE-s.
Ky takim i këtij formati, vjen pas atij të disa javëve më parë në ambasadën britanike.
Pas takimit, reagoi ambasada gjermane, që përmes një postimi shkruan se gjatë informimit u paraqit statusi aktual i veprimtarive në të gjithë territorin e Shqipërisë, një përmbledhje e ankesave të marra dhe procedimeve të nisura deri më tani, si dhe statusi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë përkatës.
"Komisioneri i Shtetit për Zgjedhjet, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) informuan sot ambasadorët dhe kreun e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it mbi statusin aktual të përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin dhe hetimin e shkeljeve zgjedhore në Ambasadën Gjermane në Tiranë.
Takimi përfshinte statusin aktual të aktiviteteve në të gjithë territorin e Shqipërisë, një pasqyrë të ankesave të marra dhe procedimeve të nisura deri më sot, si dhe statusin e bashkëpunimit me aktorë të tjerë përkatës.
Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve shqiptare të përfshira dhe efekti parandalues ??i qasjes së përbashkët ndaj shkeljeve zgjedhore u mirëprit nga pjesëmarrësit.
Ambasadorët përshëndetën angazhimin e aktorëve shtetërorë dhe politikë shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 11 maj. Organizimi i zgjedhjeve do të jetë një matës i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit, edhe për sa i përket aspiratës së vendit për anëtarësim në BE", thuhet në deklaratën e Ambasadës Gjermane.