Zbulohet shkaku i zjarrit në pallatin 10-katësh, drejtori i Zjarrfikëses: Ja nga nisën flakët

15 Shtator 2023, 17:07Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zjarri në pallatin te ish-Parku në Tiranë

Zjarri që përfshiu pallatin 10-katësh ditën e djeshme në Tiranë, dyshohet se ka nisur nga një defekt në kondicionerin që ndodhej në papafingon e apartamentit.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, theksoi se nga pamjet filmike dhe verifikimet paraprake, është arritur në konkluzion se nga kondicioneri zjarri është përhapur në banesë dhe më pas në katet e tjera të ndërtesës.

“Nga pamjet dhe nga të gjitha ekspertizat që kemi bërë ditën e sotme, mendojmë që zjarri ka nisur në këtë pjesë të ndërtesës ku ndodhet edhe papafingo.

Mendoj se zjarri ka nisur nga kondicionerët, kemi dhe pamjet me video në momentet e fillimit të zjarrit. Sot kemi qenë edhe me drejtuesit e Komisariatit Nr.2, por do të shikojmë edhe videot e tjera nga bizneset aty pranë, për t’u siguruar për vatrën e zjarrit. Me 90 për qind zjarri ka rënë në katin ku ndodhet papafingo, në katin e banesës së djegur”, tha Goxhaj gjatë një interviste në “News 24”.

Ai tha se pallati ka qenë i pajisur me të gjitha masat e mbrojtjes nga zjarri, si hidrantët dhe pompat.

 



Video