Administratori 54-vjeçar i një lokali ku luheshin lojëra fati është arrestuar nga policia.
Në subjektin në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu” u sekuestruan edhe 3 celularë ku ishin aktivizuar faqe që përdoreshin për vendosjen e basteve sportive.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Tiranës.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të kontrolleve të bazuara në informacionet operative, kanë konstatuar se në një lokal në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu” zhvillohej aktivitet i paligjshëm i basteve sportive.
Për këtë rast u arrestua në flagrancë administratori i subjektit, shtetasi S. Z., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, uniformat blu sekuestruan 3 celularë, në të cilët ishin të aktivizuara faqe për vendosjen e basteve sportive.
Operacioni “Fati i lojërave” vijon në disa zona të kryeqytetit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.