Vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili aktualisht po përballet me akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre lidhur me privatizimin ish-kompleksit Partizani në kryeqytet, është zbardhur sot.
GJKKO është shprehur se masat ndaj Berishës nuk përbëjnë heqje të lirisë, ndryshe nga çfarë ka pretenduar ish-kreu i qeverisë vazhdimisht.
Sipas arsyetimit, për këtë masë nuk ka nevojë të kërkohet autorizim nga Kuvendi.
Ndaj Berishës është caktuar detyrimi i paraqitjes në gjykatë dy herë në muaj, si edhe i është ndaluar të udhëtojë jashtë territorit shqiptar.
Në faqen 2, gjykata thekson se oficerët e policisë tentuan ta njoftojnë Sali Berishën më 22 tetor në selinë e PD, për mesën e vendosur ndaj tij, por përfunduan në zyrën e Flamur Nokës deri rreth mesnatës, pa arritur të kontaktojnë kreun e rithemelimit.
“Oficerët Gentian Ndoi dhe Elsic Doda hynë në ambientet e selisë, rreth orës 22.45 pas përfundimit të konferencës për shtyp, dhe i kanë kërkuar punonjësit të recepsionit për ti orientuar tek zyra e Sali Berishës. Në pritje e sipër, pasi nuk kanë marrë përgjigje prej tij, ata janë ngitur në katin e dytë, ku u kanë kërkuar personave të pranishëm ti orientonin tek zyra e Sali Berishës. Kanë marrë takim me Z.Akil Kraja, drejtor i kabinetit, dhe më pas, është paraqitur Ledio Nuraj, i prezantuar si avokat dhe përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike, të cilit i kanë kërkuar të njëjtën gjë, njoftimin e Sali Berishës.
Pas disa minutash, Akil Kraja u ka komunikuar se duhej të ngjiteshin në katin e tretë dhe së bashku kanë shkuar në zyrën e Flamur Nokës, ku ishin Noka, Agron Kuliçi dhe Oert Bylykbashi. Këtyre të fundit u është kërkuar të lajmërojnë shtetasin Sali Berisha, por rreth orës 00.10 Flamur Noka u ka komunikuar se nuk mund të qëndronin në seli pasi nuk mund të takoheshin shtetasin Sali Berisha duke qenë se vendimi ishte në shkelje të kushtetutës dhe si i tillë, nuk mund ti komunikohej”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Më tej sqarohet se si shërbimet e policisë njoftuan për mbërritjen e Berishës në banesën e tij, ku duhej t’i dorëzohej masa, por kur kanë trokitur në derë oficerët e OPGJ-së, u ka dalë djali i tij Shkëlzen Berisha, i cili ka thënë se babai i tij nuk dëshiron të takojë njeri.
“Ky shtetas, u ka thënë se babai i tij nuk donte të takohej me asnjeri dhe se orari ishte i papërshtatshëm, duke u lënë si mundësi paraqitje ditën e nesërme, datë 22 tetor 2023. Në orën 09.45 të kësaj date, oficerët kanë shkuar sërish në këto ambiente në katin e tetë, ku dera është hapur nga Argita Malltezi. Ajo u tha policëve se babai i saj nuk jetonte aty, por në katin e katërt të po asaj ndërtese. Sipas orientimit të saj, oficerët shkuan në banesën përkatëse, ku i ranë ziles disa herë por nuk ka dalë asnjë person. Në këto kushte, janë larguar”, thuhet në vendim.