Zbardhet plagosja e rëndë te Fresku, arrestohet njëri prej autorëve (VIDEO)

12 December 2025, 15:20Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Zbardhet plagosja e rëndë te Fresku, arrestohet njëri prej

Një 49-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e ndodhur më 6 dhjetor në zonën e Freskut ku i plagosur me sende të forta mbeti 26-vjeçari me iniciale F. Y.

Në pranga Helidon Marku 49 vjeç, i cili u porosit nga Gjokë Ndrevataj 36 vjeç dhe Xhemal Uka 30 vjeç, të dy të shpallur në kërkim, për të dhunuar 26-vjeçarin.

Sipas Policisë, të dyshuarit Gjokë Ndrevataj, 36 vjeç, dhe Xhemal Uka, 30 vjeç, dyshohet se për motive të dobëta kanë porositur shtetasin Helidon Marku, 49 vjeç, për të kryer plagosjen. Të tre personat rezultojnë me precedentë penalë për krime kundër personit, ndërsa i arrestuari Marku . ka qenë më herët i proceduar edhe për armëmbajtje pa leje.


Gjatë operacionit, 49-vjeçari u vu në pranga, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e dy porositësve. Hetimet po zgjerojnë gjithashtu rrethin e personave të përfshirë, pasi dyshohet se në ngjarje mund të kenë marrë pjesë edhe individë të tjerë.

Ndërkohë, është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi T. D., 33 vjeç, i cili dyshohet të ketë shoqëruar autorin e dyshuar në vendin e krimit dhe ka refuzuar të deklarojë rrethanat e ngjarjes.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve. 

 


Video