Zbardhet dëshmia e vajzës së Fiqiri Mjeshtrit: Renado dhe Kenado më shantazhonin në Instagram, kisha 5 ditë pa shkuar në shkollë

12 October 2022, 20:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Zbardhet dëshmia e vajzës së Fiqiri Mjeshtrit: Renado dhe Kenado

 

Është zbardhur dëshmia në Polici, e vajzës 16-vjeçare të Fiqiri Mjeshtrit, autori i krimit që tronditi Klosin mesditën e sotme.

Mësohet se vajza ka thënë se dy 17-vjeçarët Renado Hasula dhe Kenado Shira, djem tezesh me njëri-tjetrin, e shantazhonin me foto dhe video në rrjetin social Instagram. Po ashtu, ajo ka thënë se prej këtyre mesazheve kishte 5 ditë që nuk shkonte në shkollë.

Mësohet se në dijeni kanë qenë dhe mësues të gjimnazit në Klos.

16-vjeçarja i ka treguar babait të saj arsyen pse nuk shkonte në shkollë dhe ky i fundit, Fiqiri Mjeshtri ka kërkuar sqarim me dy djemtë dhe prindërit e tyre.

Ata janë ulur në një lokal në Klos, ku Fiqiri Mjeshtri shoqërohej dhe nga dy vëllezërit Besnik (ky ishte polic bashkiak) dhe Fatmir Mjeshtri.

Burime bëjnë me dije se Fiqiri Mjeshtri i kishte kërkuar Renado Hasulës që të martohej me të bijën e tij pas ngacmimeve që ai kishte bërë ndaj saj, ndërsa ky i fundit kishte refuzuar duke ia fyer dhe vajzën se nuk ishte e denjë për të.

Pas këtij refuzimi, debati ka degraduar dhe ata janë konfliktuar me grushta me njëri-tjetrin dhe në konflikt e sipër, Fiqiri Mjeshtri ka nxjerrë armën TT dhe ka qëlluar 6 herë ndaj palës përballë, duke lënë të vdekur babë e bir, Liri dhe Kenado Shira, ndërsa plagosi Renado Hasulan dhe babain e tij Eglantin Hasula.

Policia arrestoi dy vëllezërit Besnik dhe Fatmir Mjeshtri, ndërsa vëllai tjetër i tyre, Fiqiri Mjeshtri, autor i krimit, u gjet i vdekur rreth 900 metra larg banesës së tij dhe dyshohet se ka vrarë veten.

 


Video