Yuri Kim takon Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, zbardhen detajet se çfarë u diskutua

21 November 2022, 18:30Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Yuri Kim takon Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, zbardhen
Gjeneral Arben Kingji dhe Yuri Kim

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar këtë të hënë një takim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare, gjeneral Arben Kingji.

Lajmin e ka bërë me dije ambasada amerikane përmes një postimi në rrjetet sociale, ku zbardh dhe detajet e takimit.

Mësohet se në takim është diskutuar për një sërë çështjesh që kanë në qendër bashkëpunimin mes dy vendeve, si përgatitjet për stërvitjen e madhe ushtarake Defender Europe 2023.

Ata diskutuan gjithashtu përgjigjen ndaj përmbytjeve shkatërruese në veri, me gjeneralin Kingji që shprehu vlerësimin për kontributin e SHBA në trajnime, pajisje (përfshirë automjetet e urgjencës dhe gomone) dhe furnizime të tjera.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Gjeneral Brigade Arben Kingji për herë të parë në cilësinë e Shefit të Shtabit të Ushtrisë për të forcuar marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Shqipëri. Ata ranë dakord të rrisin bashkëpunimin në vazhdim të stërvitjes historike Defender Europe 2021 dhe në përgatitje për stërvitjet e ardhshme Defender Europe 2023. Të dy diskutuan ndikimin pozitiv të selisë së Komandës së Forcave Operacionale Speciale të SHBA (SOCEUR) në Shqipëri dhe aktivitetet e Brigadës së Forcave të Sigurisë dhe të Ndihmës së Ushtrisë së SHBA (SFAB). Ata diskutuan gjithashtu përgjigjen ndaj përmbytjeve shkatërruese në veri, me gjeneralin Kingji që shprehu vlerësimin për kontributin e SHBA në trajnime, pajisje (përfshirë automjetet e urgjencës dhe gomone) dhe furnizime të tjera, dhe ambasadoren Kim që përsëriti gatishmërinë e SHBA për të ofruar mbështetjen e nevojshme”, njofton ambasada amerikane.


Video