“Vuante nga kanceri në mëlçi”, flet nipi i Isuf Kalos: Ja këshillat që më jepte dhe biseda ime e fundit me të

20 January 2023, 17:09Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Vuante nga kanceri në mëlçi”, flet nipi i Isuf
Përparim dhe Isuf Kalo

Nipi i mjekut Isuf Kalo i cili u nda nga jeta një ditë më parë, Përparim Kalo ka treguar për betejën e gjatë me sëmundjen që i mori jetën.

Në një intervistë për Panorama TV, Kalo u shpreh se mjeku vuante prej kohësh nga kanceri në mëlçi, teksa në muajt e fundit gjendja e tij shëndetësore u rëndua.

Sipas Përparim Kalos, edhe pse Isuf Kalo mori trajtimin e duhur mjekësor në Norvegji dhe Shqipëri, sërish nuk arriti të fitojë betejën me sëmundjen.

Kalo: Në vitin e fundit, ajo filloi të përparonte, metastazat e kancerit në mëlçi. Ka një farë agresiviteti në organin që i kapi. Përkeqësimi i erdhi në vitin e fundit dhe muajt e fundit.

A ka marrë trajtimin e duhur mjekësor?

Kalo: E ndan jetën mes Shqipërisë dhe Danimarkës. Ishte rezident në Danimarkë. Ka pasur të drejtën e qëndrimit, ka marrë shërbime atje, por edhe këtu. Edhe njohja personale si mjek, është konsultuar me mjekët më të mirë të fushës. Nuk i ka munguar kujdesi vetë, por edhe i stafit mjekësor, kudo që ka qenë. Këto janë rrugët e pakthyeshme të fatit, të ndërpret jetën në një moment të caktuar. Ka jetuar jetën si një njeri i lirë, i pjekur, i mbushur me arritje.

Ai ka treguar se cilat ishin disa këshillat që xhaxhai i tij i jepte gjithmonë.  Përparim Kalo u shpreh se mjeku i njohur e këshillonte që të ishte i ndershëm dhe të punonte më vullnet për të arritur gjërat që do.

“Kuptohej që ishte shumë i ngarkuar dhe vizitat ishin të shkurtra kështu e kuptonim që ishte një punë shumë e ngarkuar me përgjegjësi të madhe por dhe ishte nder të ishe në elitën e mjekëve që i shërbejnë shtetit pavarësisht kohësh që ne gjykojmë. Ndershmëria ka qenë e para dhe e dyta vullneti që çdo gjë arrihet me punë dhe dashuria për njerëzit këto ishin pjesë të udhërrëfimit por janë gjëra që nuk mund të konsumohen në një intervistë. Ne flisnim për politikë, sport dhe shumë gjëra se interesat e tij ishin të gjëra”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Përparim Kalo tregon se xhaxhai i tij ishte njeri dashamirës që i pëlqente arti ku edhe tregoi një histori që kishte ndodhur para disa vitesh.

“Ishte dashamirësia, të fillojmë nga ana njerëzore, për t’i trajtuar njerëzit me dashuri maksimale e dyta ishte aftësia e analizës, ai dinte të analizonte jo vetëm librat ose filmat, ti i shikoje në një drejtim dhe mendoje që e kishte kuptuar por ai të jepte një panoramë krejt tjetër, gjetjet që ishin mahnitëse dhe unë e kam konstatuar në shumë raste kur diskutonim për librat ose për artin dhe kur bëheshin konferenca mjekësore ai donte t’i shoqëronte me art. Kur u bë drejtor i qendrës së Akreditimit të Shërbimeve Mjekësore më kërkoi një pikturë që ta sillja në podium dhe unë ia mora ish dekanit në fakultetin e Arteve të Bukura dhe i morëm një pikturë atij dhe ai u magjeps nga mënyra si e lidhi me konferencën”, deklaroi ai.

Përparim Kalo tha se amaneti i xhaxhait të tij ishte që trupi të prehej në vendlindjen e tij në Shqipëri. Ndër të tjera, Kalo tha se xhaxhai i tij i ka ushqyer gjithmonë me dashurinë për vendlindjen.

Përparim Kalo: Amaneti i fundit ishte që trupi i tij të vinte në Shqipëri. Ka pasur një dashuri të madhe për vendlindjen. Na ka çuar shpesh, megjithëse jemni lindur në qytete të tjera. Na e ka ushqyer këtë, kemi një shtëpi në fshat, por pavarësisht se nuk e kemi në pronësinë tonë, të gjithë vendasit atje e njohin si shtëpia e stërgjyshërve tanë dhe na japin akses që të shkojmë dhe të bëjmë piknik me fëmijët tanë.

Si do ta kujtonit ju familjarët të ndjerin Isuf Kalo?

Përparim Kalo:  Ne do ta kujtojmë gjithmonë me buzëqeshjen që kishte gjithmonë. Me humor. Ne kemi shumë foto, kemi bërë fotografi shumë. Do ishte mirë të bënim një album që të na e sjellë në kujtesë në të gjitha fazat e jetës që e kemi njohur.


Video