Vritet në Ekuador 'miku' i Dritan Gjikës, i përfshirë në skandalin me mafian shqiptare

1 Prill 2023, 14:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rubén Chérrez, emri i të cilit u bë i njohur për shkak të një hetimi që do të zbulonte lidhjet e tij me trafikantët shqiptarë të drogës, u vra.

Ai ishte një mik i kunatit të Presidentit Guillermo Lasso, Danilo Carrera. Trupi i tij, së bashku me atë të katër personave të tjerë, u gjet në Punta Blanca, në Santa Elena, në bregdetin e Ekuadorit. Raportet e para të policisë tregojnë se kufomat kanë shenja torture.

Në një raport policor prej 68 faqesh që ishte pjesë e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Mantës në vitin 2021, por i arkivuar më vonë, Cherres u hetua për lidhjet e tij me mafien shqiptare, më konkretisht me Dritan Gjikën.

Një nga takimet, të dokumentuara në raport, daton nga 5 maj 2021, kur Cherrez u pa në kompaninë Osaka Fish, e falimentuar në atë kohë, në qytetin Manta, në bregdetin e Ekuadorit, dhe që do të ishte përdorur nga mafia shqiptare si mbulesë për operacionet e organizatës kriminale.

Portali gazetaresk Plan V zbuloi edhe historinë e Gjikës, i cili “ka gati një dekadë në Ekuador dhe nga Guayaquil ka drejtuar biznese të ndryshme, përfshirë një eksportues bananesh që lidhet me një importues shqiptar të akuzuar për trafik droge”.

I pari që konfirmoi vrasjen e Chérrez ishte ish-ministri i Brendshëm, José Serrano. Jozyrtarisht mësohet se personat e tjerë të vrarë së bashku me Chérrez janë  e dashura e tij Tamara Navas, shoku i tij César Amador dhe roja i sigurisë së vendit ku ndodheshin./Infobae

Video