Është zhvilluar në Gjykatën e Korçës seanca për komunikimin e masave të sigurisë ndaj të ndaluarve për vrasjen e 14-vjeçarit Erald Xhejo në Maliq.
Pasi u njohën me provat e paraqitura nga akuza, togat e zeza kanë vendosur të lënë në burg pa afat, autorin Enedio Guri, babain e tij Edison Guri dhe xhaxhain e autorit të mitur, Roland Guri.
Nga ana tjetër, gjykata ka lënë në arrest shtëpie Florian Çelën, shokun e autorit të dyshuar të ngjarjes që akuzohet për mos kallëzim krimi, ndërsa për 4 të miturit ka vendosur masën e sigurisë mbikëqyrje prindërore.
Avokati Ledjan Spaho pas seancës së masës së sigurisë është shprehur se 14-vjeçari Enedio Guri ka shprehur pendesë për vrasjen e bashkëmoshatarit.
I mituri, është shprehur në sallën e gjyqit se nuk ka dashur të kryente krim, e se është penduar për veprimin e tij.
“Jam penduar, nuk kam dashur të kryej vrasje”, tha 14-vjeçari para togave të zeza.
Mësohet se disa ditë para se të ndodhte krimi, autori ka shkuar me një mjet në fshatin Zvirinë dhe para lokalit të xhaxhait të viktimës ka xhiruar gomat dhe është larguar.
Ditën e ngjarjes, më 14 gusht 2025, 14-vjeçari së bashku me një shok ka shkuar në fshatin Pirg për t’u qethur. Ata kanë parë autorin duke kaluar me makinë dhe i kanë fishkëllyer me qëllim për t’u sqaruar. Pasi ka dalë nga makina, ai ka nisur të debatojë, ndërkohë që ka nxjerrë thikën.
14-vjeçari, në këto kushte, ka marrë një karrige nga oborri i lokalit për t’u vetëmbrojtur, duke e vendosur përpara trupit, por teksa bënte hapa pas është penguar dhe autori, në atë moment, e ka goditur me thikë.
E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit.
Bashkë me autorin u arrestua babai dhe xhaxhai i tij pasi fshehën mjetin prerës me të cilin u krye krimi.