Vlora mikpritëse e Giro d’Italia, organizim i jashtëzakonshëm dhe një sukses i policisë kufitare

12 Maj 2025, 13:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Giro d’Italia

Qyteti bregdetar i Vlorës u shndërrua dje në një skenë ndërkombëtare të sportit me organizimin e një etape të Giro d’Italia, një prej garave më të njohura të çiklizmit në botë.

Kjo ngjarje e veçantë, jo vetëm që solli atmosferë festive dhe interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët dhe turistët, por gjithashtu shërbeu si një promovim i denjë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Veç aspektit sportiv, një vëmendje të veçantë mori edhe organizimi i shkëlqyer logjistik dhe sigurimi i rendit, veçanërisht në pikën kufitare të Vlorës, ku u krye me efikasitet të jashtëzakonshëm kthimi i të gjitha ekipeve drejt Italisë pas përfundimit të etapës.

Në këtë kuadër, vlerësim maksimal meriton Policia Kufitare e Vlorës, e cila demonstroi profesionalizëm dhe përkushtim në menaxhimin e situatës.


Nën drejtimin e Drejtorit të Kufirit, z. Blendi Jaho, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Shefin e Stacionit Agon Biti, dhe shefen e turnit  znj. Republika Kasmahu si dhe gjithë stafi i oficerëve të policisë kufitare puna u zhvillua me ritëm të lartë dhe në kohë rekord, pa krijuar asnjë vonesë për sportistët apo stafin shoqërues.

Ky sukses i padiskutueshëm i strukturave të sigurisë është një shembull i qartë i kapaciteteve që Shqipëria ka për të pritur dhe menaxhuar ngjarje me përmasa ndërkombëtare.

Në një ditë historike për sportin shqiptar dhe imazhin e vendit në botë, Policia Kufitare e Vlorës dëshmoi se është e gatshme të përballet me sfida të mëdha me dinjitet dhe përkushtim.

Giro d’Italia në Vlorë nuk ishte thjesht një garë, ishte një dëshmi e mikpritjes shqiptare, e bashkëpunimit institucional dhe e potencialit që vendi ynë ka për të qenë pjesë e hartës së madhe të organizimeve sportive globale.

Video