Policia e Durrësit ka dhënë detajet zyrtare për kokainën e gjetur mes kutive me banane në portin e Durrësit që i përkisnin kompanisë Zico sh.p.k. ose siç njihet me brandin "BanaKing" e biznesmenit që jeton në SHBA Trifon Murataj.
Sipas burimeve zyrtare, në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, janë gjetur gjithsej 31 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë.
Policia thotë se droga u pikas nga qentë e antidrogës, pas u ushtrua kontroll pas marrjes së informacioneve se mes bananeve kishte lëndë narkotike.
"Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionin policor të administruar nga Policia shqiptare, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në një kontenier të ngarkuar me banane, që kishte ardhur nga Ekuadori, për llogari të një firme në Tiranë, duke qenë se nga kontrolli me skaner nuk ishte konstatuar ngarkesë tjetër përveç arkave me banane.
Si rezultat i kontrollit me qen antidrogë, shërbimet e Policisë konstatuan në 2 arka bananesh, 31 pako, të mbushura me lënd të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë." thuhet në njoftimin e bluve të qytetit bregdetar.
Policia e Durrësit ka shoqëruar 8 persona pjesëtarë të firmës që priste ngarkesën me banane dhe punonjës të skanerit në Portin e Durrësit.
Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Policisë së Shtetit vijojnë veprimet për zbardhjen e këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.