Policia e Tiranës ka dalë në një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë ku u plagosën nga një skelë që u shemb nga një pallat, dy persona, babë e bijë, teksa kalonin rrugën.
Policia bën me dije se të plagosurit janë shtetasit me iniciale H. L., rreth 70 vjeç, dhe I. Sh., rreth 45 vjeçe, që ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Sakaq, në polici janë shoqëruar inxhinieri i pallatit, shtetasi me iniciale K. S., dhe punëtorët me iniciale N. S., dhe A. P., për veprime të mëtejshme procedurale.
Skela e pallatit ka rënë nga kulla që po ndërtohet, në bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë.
Në pamjet e siguruara nga VoxNews, shihet se skela e shembur nga pallati në ndërtim ka qenë prej hekuri, ndërsa në rrugë ka edhe njolla gjaku.
Spitali i Traumës bën me dije se pacienti me inicialet H.L. 70 vjeç është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa pacientia me iniciale I.Sh, 45 vjeçe në gjendje shëndetësore stabël, po mbahet në monitorim nga stafi mjekësor.
Njoftimi i policisë:
Më datë 22.01.2024, rreth orës 10:10, në bulevardin “Gjergj Fishta”, janë rrëzuar skelat e nje pallati në ndërtim e sipër, dhe si pasojë janë dëmtuar 2 shtetas (kalimtarë) H. L., rreth 70 vjeç, dhe I. Sh., rreth 45 vjeçe.
Dy të dëmtuarit ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në ambientet e Policisë janë shoqëruar inxhinieri i pallatit, shtetasi K. S., dhe punëtorët N. S., dhe A. P., për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./VoxNews