Automjeti tip "BMW X6" që do të përdorej nga grupi i Erjon Alibejt në atentatin e parandaluar në Elbasan ndaj Elton Kilës (i thirrur Oti), është grabitur në qytetin e Shkodrës.
Grabitja është regjistruar më 6 shkurt të këtij viti, rreth orës 20:00 të mbrëmjes, para një lokali në lagjen Xhabijë dhe momenti është filmuar nga kamerat e sigurisë, siç mund ta shihni dhe në videon e mëposhtme.
"Skifteri" që kryen grabitjen sillet në vendngjarje nga një makinë BMW seria 5 ngjyrë e bardhë, e cila ndalon paralel me automjetin luksoz BMW X6 të zi. Nga hetimet ka rezultuar se automjeti BMW i bardhë është grabitur në Shkodër rreth 15 minuta para së të grabitej edhe makina BMW X6, ngjyrë e zezë.
E hap atë me anë të një pulti dhe futet brenda. Mban në kokë një kapuç dhe në fytyrë një maskë për të mos u identifikuar.
I duhen vetëm 20 sekonda që ta marrë makinën dhe largohet nga vendngjarja. Së bashku me të ikën dhe makina tip BMW seria 5 ngjyrë e bardhë.
Një tjetër kamer sigurie në dalje të Shkodër ka pikasur të dyja makinat të cilët lëviznin në sinkron më njëra tjetër ku kanë dalë nga qyteti me drejtim Tiranën.
Ende nuk janë verifikuar personat që kanë kryer grabitjen e dy makinave por sipas policisë nuk janë banorë të qytetit të Shkodrës.
Kjo BMW X6 konsiderohet me tepër rëndësi për hetimin, pasi policia po verifikon se kush e kreu vjedhjen e saj e më pas personin që e bleu.
Në brendësi të automjetit BMW X6 të parkuar pranë banesës së Erjon Alibejt në Elbasan, policia gjeti mëngjesin e së dielës tre armë zjarri kallashnikov e disa bidona benzinë që dyshohet se do përdoreshin për realizimin e një atentati ndaj një personazhi të njohur të botës së krimit në Elbasan, Elton Kilës (i thirrur Oti)
Për ngjarjen deri tani në pranga kanë rënë Arben Spahiu dhe Arsen Preçi, të cilët kanë refuzuar të flasin. Të dy rezultojnë lidhje familjare dhe shoqërore e Erjon Alibejt, i vënë nën akuzë nga SPAK si porositës i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në 2020.
Ky nuk ishte atentati i vetëm, që grupi i Erjon Alibejt ka tentuar të bëjë ndaj Elton Kilës, pasi ka dështuar dhe më parë.